Indeksimin prej 8.6% të pensioneve, që pritet të miratohet nga Qeveria, Sali Berisha e quan hipokrizi dhe të pamjaftueshëm, pasi siç thotë ai inflacioni tek ushqimet është më i lartë edhe se shifrat zyrtare. Në një deklaratë për mediat, Berisha deklaroi se pensionistët janë shtresa më e goditur nga kriza e çmimeve, ndërsa jetesa në Shqipëri tha se bëhet e papërballueshme.
“Rritja e çmimit të ushqimeve, sipas statistikave zyrtare, është 11.5 përqind, sipas statistikave reale është 13.5 përqind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet me ndihmë ekonomike. Këto çmime, e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën në Shqipëri të papërballueshme”, u shpreh Berisha.
Kreu i Rithemelimit propozoi edhe njëherë tjetër se zgjidhja për të nxjerrë nga varfëria pensionistët është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët.
“Vendosja e minimumit jetik, e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigjja e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve”, theksoi Berisha.
Edhe pse ligji për minimumin jetik konsiderohet i kushtueshëm, Berisha pohoi se fondet janë në buxhetin e shtetit por vidhen, duke mbështetur akuzën e tij me një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“KLSH ka gjetur se në një vit, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë. Nëse vetëm 40 përqind e këtij fondi do të mund të kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm”, shtoi Berisha.
Sipas Berishës, qëndrimi i deputetëve ndaj ligjit për minimumit jetik është një gur prove për ta, duke shtuar se vota pro apo kundër dëshmon ndjeshmërinë e atyre ndaj zgjedhësve shqiptarë.