top of page

Inspektimet e KLSH tek gazi dhe karburantet, raporti: Të ndërhyhet tek sistemi online, ka probleme


Programi i inspektimit e-inspektimi, që zbatohet nga disa institucione në vend, jo në të gjitha rastet funksionon siç duhet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në një auditim mbi sistemet e teknologjisë në Inspektoratin Shtetëror dhe Industrial, ka konstatuar se sistemi online ka një sërë problemesh dhe duhet të bëhet ndërhyrje për të përmirësuar performancën.


Sipas raportit nga auditimi mbi funksionalitetin e sistemit e-inspektimi u konstatua se: Në modulin e “çështjeve të inspektimit në disa raste gjatë zhvillimi të procesit inspektues, përdoruesve u shfaqen problematika mbi gjenerimin e vendndodhjes në tablet.


Po kështu në momentin kur inspektori në çështjen përkatëse e krijon si ri-inspektim ato në sistem dalin të krijuara dy here.

Raporti vlerëson se në disa raste është vërejtur se inspektorët, pasi gjenerojnë dokumentet si, Proces Verbalin, Listë Verifikimin dhe Vendimin Përfundimtar, statusi i këtyre çështjeve nuk del “Mbyllur” por vazhdon të jetë në progress.

“Gjatë procesit të inspektimit është hasur një problematikë nga inspektorët të cilët pasi mbyllin procesin e inspektimit në sistem dhe më pas u duhet të dërgojnë në format elektronik “e-mail” të dhënat përkatëse, u konstatua se ky e-mail nuk shkon në destinacionin e përcaktuar.


Kur krijohen çështjet në modulin e çështjeve dhe programimit, emri i një subjekti që përsëritet më shumë se 15 herë, nuk mund të regjistrohet në sistem. Për këtë arsye për të futur të gjithë subjektet e programuara në planin vjetor, ato regjistrohen në sistem në modulin einspektime/skeduli i çështjeve, me statusin “të programuara”.

Praktikisht plani vjetor është në letër por nuk mund të hidhet i gjithi në sistem për shkak të kësaj problematike mbi përsëritjen e të njëjtit nipt. Kjo gjë krijon probleme pasi ka kompani të cilat kanë më shumë se një degë në të gjithë vendin por kanë një nipt të vetëm.


Pra praktikisht këto subjekte nuk mund të inspektohen më shumë se 15 herë për shkak të pengesës së trajtuar më lart në sistem, edhe pse kanë më shumë degë në të gjithë vendin. Tek moduli i çështjeve të inspektimit nuk shfaqen të gjitha ri inspektimet dhe kur kërkohet me arsyen ri inspektim” thuhet në raport.

I njëjti analizon problematika të lidhura me përcaktimet e programeve mujore, përzgjedhjet e arsyeve në rastet e skedulit të çështjeve apo shtyrjen e proceseve inspektuese.


KLSH ka rekomanduar që ISHTI l në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të analizojë dhe adresojë tek ofruesi i shërbimit të mirëmbajtjes parregullsitë, mangësitë e konstatuara nga auditimi dhe të ofrojnë zgjidhje për to me qëllim përmirësimin e performancës së funksionimit të sistemit e-inspektimi, si dhe të merren masa për shtimin e funksionaliteteve të reja në sistemin e-inspektimi sipas nevojës së përdoruesve në sistem.

bottom of page