top of page

Institucionet shkaktuan 182 milionë euro efekt negativ në buxhet për 8-mujorin

Nga janari në gusht, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë konstatuar se efekti negativ në buxhetin e shtetit nga ana e institucioneve të kaluara në “sitë” është 19.4 miliardë lekë apo 182 milionë euro.

Ky efekt ndahet në dy pjesë ku së pari vlerësohet dëmi ekonomik, me vlerë 4.78 miliardë lekë dhe menaxhimi joefektiv i fondeve që llogaritet në 17.7 miliardë lekë.  

“Gjatë periudhës janar – gusht 2023, janë dhënë 424 rekomandime mbi gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për total vlerën 19,496,811 mijë lekë, nga të cilat: dëmi ekonomik vlerësuar 4,780,006 mijë lekë, dhe menaxhimi jo efektiv i fondeve në vlerën 14,716,805 mijë lekë.

Rreth 99.8% e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik* në buxhetin e shtetit, është konstatuar në fushën e shpenzimeve (4,771,768 mijë lekë) “ thuhet në buletin.  

Sipas përfundimeve të nxjerra nga audituesit rezulton se në krye të institucioneve që kanë dëmin më të madh qëndron Albpetrol. 

“Rreth 63% e totalit të shpenzimeve e zë vlera 3 miliardë lekë e konstatuar në subjektin Albpetrol SHA Patos, si pasojë e detyrimeve që kanë shoqëritë koncensionare ndaj shoqërisë për energjinë e shitur/faturuar me dhe pa kontrata.  

Rreth 29% e totalit të shpenzimeve, ose 1,36 miliardë lekë është konstatuar përsëri në subjektin Albpetrol SHA Patos, si pasojë e maturimit të penaliteteve e kamatëvonesave për mos kryerjen e pagesave për energjinë elektrike nga kompania Bankers Petroleum; rreth 4% e totalit të shpenzimeve e zënë vlerat në “Shpenzime për paga dhe shpërblime”, në shumën 179.5 milionë lekë, e konstatuar si në AlbPetrol SHA Patos, si pasojë e pagesave gjoba dhe kamatëvonesa në lidhje me detyrimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe përfitimin e shpërblimeve për anëtaret e vet padrejtësisht; rreth 3% e totalit të shpenzimeve i takojnë zërit “Shpenzime në procedura prokurimi dhe zbatim punimesh” në shumën 131.2 milionë lekë, ku renditen subjektet si: AKSHI – 18 milionë lekë, UKT SHA – 15.4 milionë lekë, Albpetrol SHA Patos – 14.1 milionë lekë, dhe Hekurudha Shqiptare SHA – 10,786 mijë lekë” thuhet në buletin.  Ndërkohë sa i takon menaxhimit jo efektiv të fondeve audituesit konstatojnë se, vlera totale prej 14.7 miliardë lekë u konstatua në disa fusha ku së pari tek të ardhurat me rreth 3,72 miliardë lekë (ose rreth 25% e totalit) ku veçojmë vlerën 2.3 miliardë lekë (ose rreth 63% e total të ardhurave me ndikim negativ) si shkelje të legjislacionit tatimor në 21 njësi të vetëqeverisjeve vendore 

Po kështu në fushën e shpenzimeve prej 10.9 miliardë lekë (ose rreth 75%), si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keqmenaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.  


bottom of page