top of page

Ja drejtorët me dosje që firmosin tenderat e oksigjenit për Nikun e Ndraghet’as, 50 milionë euro me pazar në tavolinë, SPAK nuk ndalon skemën e korrupsionit

Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj vijonë çdo javë të kalojnë para publike në llogaritë e grupit mafioz “Ndreaghet’a”, përfaqësuar nga Besnik Halili, përmes tenderave të paracaktuar të oksigjenit.

Teksa SPAK po heton prej tre vitesh skemën e korrupsionit të Ogerta Manastirliut, Albana Koçiut dhe Nikut të mafies italiane, ky i fundit ka nisur lëvizjet për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor, ka përgatitur një plan B për arratisje, ndërsa vijon të përlajë miliona euro me tendera të paracaktuar me pazar në tavolinë, me urdhër nga qarqet mafioze dhe politike, me ofertë fituese sa fondi limit, pra duke zbatuar një skemë të mirëfillë korruptive dhe mafioze.

Po kush janë drejtorët që firmosin tendera për Nikun e mafies italiane?

Drejtori i Spitalit të Durrësit, Ani Dyrmishi vijon të firmosë tendera të dyshimtë, me vlerë miliona euro, për kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” e mafies italiane, përfaqësuar nga Besnik Halili. Tenderat janë të shënjuar me flamur të kuq korrupsioni, pasi karakterizohen nga mungesa e konkurrencës, fituesi është paracaktuar dhe oferta fituese është sa fondi limit.

Ish drejtori i Hekurudhave është një personazh i skeduar për lidhje me krimin, për aktivitet korruptiv dhe kriminal.

Dyrmishi ka drejtuar Hipotekën e Durrësit, ku u denoncua nga Artan Lame se ka zhdukur qindra regjistra me pronat e qytetarëve, disa regjistra janë grisur dhe shumë të tjerave u janë zëvendësuar faqet.

Në tetor 2018, Dyrmishi i shpëtoi një atentati me tritol vendosur poshtë makinës së tij. Në tetor 2019 u raportua se persona të paidentifikuar kishin hapur zjarr ndaj Dyrmishit, ndonëse ai mohoi atenatin e pretenduar.

Gjatë vitit 2018 kryeministri Rama e pati renditur Ani Dyrmishin në të ashtuquajturën ‘lista e zezë’ të 100 zyrtarëve më të korruptuar në vend. 

Ish drejtoresha e Spitalit Rajonal të Durrësit, Nadire Jani ka firmosur tendera me vlerë miliona euro për kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” e mafies italiane, përfaqësuar nga Besnik Halili, sidomos gjatë pandemisë.

Drejtoresha e Spitalit të Traumës, Edlira Bode, ish deputete e PS, ka firmosur disa tendera me natyrë korruptive për kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” e mafies italiane, përfaqësuar nga Besnik Halili.

Edlira Bode është lakuar dhe denoncuar nga mediat për krijimin e një skeme të frikshme korrupsioni me tenderat te Spitali i Traumës.

Drejtoresha e Përgjithshme pranë Spitalit Memorial Fier, Rudina Degjoni ka firmosur një numër të konsiderueshëm tenderash me natyrë korruptive për Nikun e Ndreaghet’as, ku dyshohet se ka marrë pjesën e saj nga zbatimi i skemës korruptive.

Degjoni është marrë e pandehur nga Prokuroria e Fierit për shpërdorim detyre.

Ajo ka drejtuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, post nga i cili u shkarkua në viti 2020 pasi KLSH konstatoi shkelje të rënda financiare, mashtrime dhe favorizim të depove farmaceotike.

Më herët, tenderat për kompaninë që po hetohet nga SPAK për korrupsion, i firmoste Nevila Shuke, e cila drejtonte Spitalin e Fierit.

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, miliona euro tendera për kartelin GTS dhe MESSER ALBAGAZ janë firmosur nga ‘ustallesha e korrupsionit’, Geraldina Prodani, ish Sekretare e Përgjithshme.

Sekretarja e përgjithshme 12-vjeçare e tre ministrive, Financave, Shëndetësisë dhe aktualisht e Mbrojtjes, Gelardina Prodani njihet si dora e zezë e korrupsionit me tendera dhe tjetërsim të pasurive publike. Vitet e fundit, ajo ka nisur të pastrojë paratë e dyshuara si produkt i aferave korruptive, përmes babait të saj pensionist Jemin Duçka, 78 vjeç, bashkëshortit muzikant Voltan Prodani dhe njerëzve të tjerë të afërt.

Disa nga tenderat me vlerë miliona euro janë firmosur nga Joana Duro, ish sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, e arrestuar nga SPAK për korrupsion.

Sipas dosjes së SPAK, Joana Duropërlante deri gjysmën e vlerës së tenderit si tarifë ryshfeti në këmbim të firmosjes së tenderit.

Në kulmin e pandemisë, tenderat për oksigjen, për kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, i ka firnosur ‘marifetçiu’ i tenderave Enkel Joti, i cili drejtonte QSUT-në.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dokumentuar afera me kosto miliona euro të Enkel Jotit gjatë drejtimit të QSUT dhe më pas të RTSH. Duket e çuditshme se si Joti i ka shpëtuar deri mē sot SPAK-ut.

Miliona euro tendera për Nikun e mafies italiane ka firmosur edhe nëndrejtori ekonomik i Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” Tiranë, Skënder Gjoni.

Drejtori i Spitalit Fier, Perin Vogli ka firmosur gjithashtu tendera për kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” e mafies italiane.

Disa tendera për për kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” të mafies italiane, përfaqësuar nga Besnik Halili, i ka firmosur edhe Leon Kaza, drejtor i Spitalit të Lezhës, i lakuar si ‘bankomati’ i spitalit.

Tendera për kompaninë e mafies italiane ka firmosur edhe ish drejtoresha e Spitalit rajonal të Elbasanit, Desantila Tahiraj, aktualisht deputete e Partisë Socialiste.

Ajo u bë e njohur dy vite më parë kur deklaroi se në Elbasan nuk ka krim.

Drejtori Spitalit të Gjirokastrës Sokol Feruni ka firnos tendera të paracaktuar për kompaninë e Nikut të Ndreaghet’as.

Sipas një raporti të KLSH-së, drejtori Spitalit të Gjirokastrës Sokol Feruni, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka sabotuar edhe shërbimin e dializës në sektorin publik.

50 milionë euro tendera korruptivë

Fatura e kësaj skeme me kompaninë “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, vetëm gjatë 4 vitet e fundit, është 50 milionë euro, përmes 200 tenderave të dyshuar korruptivë.

Rezultojnë mbi 3 600 transaksione financiare nga sektori i shëndetësisë, duke kaluar dhjetëra milionë euro në llogaritë e kompanisë së Nikut të Ndreaghet’a.

Nga rreth 200 tendera që ka përlarë kompania “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, 64 tendera me vlerë 22 milionë euro i ka ‘fituar’ në bashkëpunim me kompaninë serbe Messer Albagaz me pronar në letra gjermanin Stefan Alexander Messer, drejt të cilës Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj kanë kryer rreth 3 mijë transaksione gjatë 4 viteve të fundit.

Nëse GTS konsiderohet si e mafies italiane Ndragheta, fijet e Messer Albagas në Shqipëri dyshohet se i luan Ardian Strazimiri, përmes Ela Strazimirit, ndonëse në letra pronar i kompanisë rezulton gjermani Stefan Alexander Messer, ndërsa administrator është rusiVladimir Vladimirov.

Në kuadër të procedimit penal nr.17, i datës 25.01.2021, me prokuror të çështjes Sotir Kllapi dhe që ka agazhuar rreth 20 hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në maj të këtij viti janë ushtruar kontrolle dhe janë kryer sekuestrime pikërisht tek një Ardian Strazimiri, një personazh i nëntokës së skemave të mashtrimit dhe pastrimit të parave, administrator dhe bashkëaksioner i kompanisë “Sofigaz”, por që dyshohet ka lidhje edhe me kompaninë Messer Albagas, që po hetojet për korrupsion dhe pastrim parash.

BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila siç e thamë më lart në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.

Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri.

Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.

Messer Albagas dhe G.T.S, pjesë e të njëjtit kartel, kanë marrë në formë bashkimi mbi 22 milionë euro tendera për oksigjen nga Ministria e Shëndetësisë, me pazar në tavolinë, me oferta gati sa fondi limit, duke korruptuar zyrtarë të ministrisë.

Prapaskena mëson se bëhet fjalë për një organizatë mafioze, fijet të cilës shtrihen nga Tirana, mafia milaneze, Gjirokastra, Serbi, Maqedoni, Janinë, Athinë dhe Gjermani.

Nëse BKH do të thellohet në lëvizjet e parave të kompanive Messer Albagas, G.T.S dhe Sofigaz, në skenën e pastrimit të parave dhe faturimeve fiktive do të dalë edhe kompania AP OIL, me nipt L73318601G, themeluar në 2017, me zyra qëndrore në Gjirokastër, me administrator dhe bashkëpronar Albert Kaçi, një rrufjan i kamufluar kaburantesh dhe ‘ujk i vjetër’ i skemave të mashtrimit me TVSH.

Bashkëpronari tjetër është Piro Bare, i skeduar nga organet hetimore për kontrabandë masive nafte dhe thyerjen e embargos ndaj Rusisë, por që i ka shpëtuar deri më sot ndëshkimit ligjor.

Albert Kaçi është kunati i Artan Gjokajt, i cili sipas dosjes së SPAK rezulton dora më e besuar e Arben Ahmetajt për pastrimin e parave, aferat me pasuritë publike, fshehjen e pasurive, menxhimin e bizneseve, lëvzjen e parave, organizimin e udhëtimeve jashtë vendit, mbylljen e pazareve etj.

Në bazë të indicieve dhe disa dokumenteve, hetuesit e BKH të hetojnë transaksionet mes kompanisë Messer Albagas, pjesë e kartelit, dhe kompanisë AP OIL të Albert Kaçit, sidomos nga viti 2019 deri në vitin 2024.




bottom of page