top of page

“Je i dënuar për masakrën e Peshkëpisë”! Beleri padit Ballën: Lekët do i jap për bamirësi

Kandidati për Kryetar Bashkie të Himarës i mbështetur nga Sali Berisha, Fredi Beleri siç e kishte paralajmëruar më 28 shkurt sot njoftoi se ka depozituar në gjykatë padinë për shpifje kundër kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla.

“Edhe pse e paralajmërova zotin Taulant Balla se ai do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë për deklaratat e tij shpifëse dhe të rreme ndaj meje, ai vazhdoi të mbështesë shpifjet e tij. Sot kam ngritur dhe depozituar padi. Me anë të së cilës kam kërkuar dëmshpërblim prej 1.000.000 lekësh të cilat do t’ia dhuroj të gjithë shumën “Shtëpisë së Foshnjës Vlorë”.

Të paktën në këtë mënyrë  një shpifës i tillë do të ketë kontribuar sado pak në sherbimin e rrënuar të shtëpive të foshnjave nëpër bashki. Jam i bindur dhe shpresëplotë për vendimin e drejtësisë shqiptare. Por, përgjigjen politike do ta marrin shpifësit përsëritës si Taulant Balla më 14 maj kur Himara të zgjedhë një kryetar bashkie që do t’i shërbejë interesave të vendit dhe jo miqve të tij” tha ai.

Sipas Ballës, Beleri është i dënuar për masakrën e Peshkëpisë, gjë të cilën kandidati i Berishës për Himarën e mohon, madje e akuzon për shpifje. Në 25 janar, Sali Berisha firmosi marrëveshjen e koalicionit me PBDNJ-në e Vangjel Dules për zgjedhjet vendore të 14 majit, duke i dhënë kandidatët në Bashkitë e Himarës, Dropullit dhe Finiqit.


bottom of page