Vëllezërit Edmond e Xhovani Gocaj e Myrezim Zeneli nga njëra anë dhe Kujtim Verracaku nga ana tjetër, u vranë në 27 Qershor 2021 pas një konflikti për vendosjen e çadrave në plazhin para hoteleve të tyre në Velipojë.
Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Pjetër Gocaj, babai i vëllezërve të vrarë Gocaj, tregon se masakra nuk do kishte ndodhur nëse do prisnin topografët për të bërë përcaktimin e ndarjes së parcelave në plazh.
Topografët shkuan 1 javë pas tragjedisë. Pjetër Gocaj u njoftua se parcela që kishte familja e tij, por që e kërkonte dhe pala tjetër e familjes Verracaku, nuk i përkiste asnjërit prej tyre, por i ishte dhënë një biznesi tjetër.
Biseda:
Pjetër Gocaj: Konfliktin e sajuan ata vetë se s’kam pasur konflikt. Ç’a deshën ata që erdhën të më rrethonin hotelin mua. Sa mirë ka ditë me ardh e unë me i shku atij për çfarëdo nevoja që kemi pasur, si shok e si miq.
Spartak Koka: Keni pasur hyrje-dalje?
Pjetër Gocaj: Posi, kam pasur shumë shoqëri.
Spartak Koka: Me ty kishin folur për punën e problemit të parcelës?
Pjetër Gocaj: Absolutisht. Vetëm ka komunikuar fëmija. I kam thënë parcelën do e lëshojmë se ja ka dhënë shteti, mbi shtetin ne nuk dalim. Kur të vijnë topografët ta masin…
Spartak Koka: Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, sa ka hyrë data 27, kishin ardhur tiopografët?
Pjetër Gocaj: Jo. Topografët kanë ardhur pas 7 ditësh.
Spartak Koka: Çfarë kanë përcaktuar topografët?
Pjetër Gocaj: Kanë bërë matjet dhe kanë thënë të kujt janë këto çadra? Të këtyre që janë vrarë. I kanë thënë këtij 7-katëshit, është e jotja. E jo e atyre.
Spartak Koka: Është e këtij tjetrit.
Pjetër Gocaj: Atëherë më ka marrë në telefon polici nga ora 23:00 e natës, çfarë do bësh me çadrat se ishin të vëna kur i kanë pasur fëmijët para ngjarjes. Unë isha duke ndenjur te kunata. Mori në telefon, çfarë do bësh me këto çadra se duhet t’i spostojmë. Nuk ka dalë e tyre, jeni vrarë kot, ka dalë e tjetërkujt.
Spartak Koka: Pra, as parcela që pretendonin ata dhe kishit aplikuar dhe ju, nuk ishte as e juaja dhe as e atij?
Pjetër Gocaj: Jo.
Spartak Koka: Ishte e tjetërkujt?
Pjetër Gocaj: E tjetërkujt! Po të kishin pritur ndarjen ishin shëndoshë të gjithë sot. Vetëm duhej pritur ardhja e matjeve të topografëve.