Bashkia Divjakë ka çelur sezonin e tenderëve pa garë me fondet e institucioneve arsimore. Këtë herë Josif Gorrea do të blejë 150 milionë lekë materiale si inerte, letër smeril, furça për lyerje, mbajtëse plastike, kaçavida, tubacione e të tjera.
Gorrea blerjen e ka justifikuar me tenderin me objekt “Blerje materiale të ndryshme ndërtimi për nevojat e Bashkisë Divjakë dhe për riparimin e shkollave”.
Por nuk jep sqarime sa copë duhen për secilin objekt që do të blihet, për cilat shkolla do të vihen në përdorim.Tenderi duket sikur është qepur me porosi për biznesmenin Arben Avduli. Ky i fundit është një emër mjaft i njohur në aferat e tenderëve. Arben Avduli është pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Avduli’, i cili doli në përgjimet e SPAK, ankohej tek zyrtarët e Bashkisë së Lushnjës se e kishin skualifikuar pa të drejtë.
Nga ky skandal u arrestua ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ndërsa Avduli doli si viktima që i kanë bërë padrejtësi.
Por, në fakt shohim që edhe ai vetë përfitoka tendera të tillë.
Tenderin për të cilin po raportojmë ka marrë “Flamuri i Kuq” Open Data Albania, që është shenja e riskut të korrupsionit.Vetëm firma ”AVDULI” SHPK kishte dorëzuar një ofertë me vlerë rreth 150 milionë lekë, pra sa 100 e fondit limit.
Duke marrë në konsideratë dy detajet, që nuk kishte konkurrentë të tjerë përballë dhe oferta e “AVDULI” SHPK ishte e shtrenjtë, Gorrea duhej të kishte anuluar procedurat e tenderit. Kryetari ka vazhduar me firmosjen e kontratës pa kaluar nëpër hapat që kërkon rregullorja. Kështu ky tender shkoi si një dhuratë për Avdulin.