TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla mbetet sërish në burg.
Gjykata e Lartë ka vendosur mospranim të rekursit për ndryshim të masës së sigurisë për ish-kryebashkiakun, pasi ai iu drejtua Gjykatës së Lartë me kërkesën që të hetohet në arrest shtëpie.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar zyrtarisht në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Bulqizës dhe 12 personave të tjerë.
Alla është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ish-zyrtarët e bashkisë së Bulqizës dhe biznesmenë të ndryshëm dyshohet se kanë abuzuar me një tënder më vlerë rreth 3 milionë Euro.
Në bazë të hetimeve të SPAK, rezulton e provuar se është shkelur ligji i prokurimeve publike për tenderin me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ”, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”.