Një punonjës i Bashkisë në Patos është dhunuar fizikisht mesditën e sotme. Bato Dalipaj babai i tre fëmijëve ka treguar se është dhunuar nga përgjegjësi i ndërmarrjes Petrit Pëllumbi.
Ai është shprehur se i kanë vendosur përpara një formular për të plotësuar pjesëtarët e familjes që sipas tij do të marrin pjese në votime, në momentin që nuk ka pranuar të nënshkruajë formularin, është goditur disa herë me grushte, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë dhe në fytyrë.
“Vjen shefi dhe më thotë që të plotësoja një formular për ta firmosur. Unë nuk e pranova. Ishte për votime, për pjesëtarët e familjes. Ai më erdhi nga pas dhe më shtriu përtokë. Ishte Petrit Pëllumbi.”, tha punonjësi.
Drejtuesi politik i PD në Fier, Luan Baçi e ka denoncuar këtë rast duke thënë se një punonjës i Bashkisë së Patosit është dhunuar se nuk ka pranuar që të plotësojë një formuar për votues.
Ai i bën thirrje Ambasadës Amerikanë dhe misioneve ndërkombëtare që të ndalojnë këto fenomene gjatë fushatës elektorale.
“Në shumë bashki të qarkut të Fierit ka presion e shantazh për votat e qytetarëve. Qytetari është i frikësuar nga hakmarrja, se do ta heqë nga puna. Është një person shumë afër PS, shumë afër bashkisë. Ky është rast shumë flagrant, e garantoj qytetarin që do t’i gjejmë dhe avokat dhe do t’i shkojmë rastit deri në fund. Kryeministri duhet të heqë dorë nga kërcënimet dhe rastet flagrante.”, tha Baçi.