top of page

Kalvari i oficerëve për t’i njoftuar masën Berishës dhe në fund…


Gjykata e Posaçme pas përpjekjeve të shumta për të njoftuar ish-kryeministrin për masat e vendosura ndaj tij, lidhur me hetimin per kompleksin Partizani, nuk kanë bërë të mundur që ta realizojnë një gjë te tillë.

Oficerët gjyqësorë bënë disa përpjekje që ish-kryeministri Sali Berisha të njoftohej zyrtarisht për masën e dhënë nga GJKKO.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin e datës 20.10.2023, caktoi ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Në vendimin e GJKKO-së të zbardhur nga redaksia e TCH Ëeb shpjegohet kalvari që kaluan oficerët e policisë gjyqësore për të njoftuar ish-kryeministrin Sali Berisha për masën e dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Në datën 23.10.2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur pranë sekretarisë së kësaj Gjykate, njoftimin mbi zbatimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj të hetuarit Sali Berisha.

Në zbatim të vendimit si më sipër, më datë 21.10.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, kanë nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e tij, të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ndaj Berishës. Për zbatimin e këtij urdhri janë ngarkuar oficerët e policisë giyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe njëkohësisht janë ngarkuar që të kryejnë të gjitha veprimet në funksion të ekzekutimit të vendimit, të përpilonte procesverbalin përkatës, duke iu marrë dhe nënshkrimi personit nën hetim.


Sipas procesverbalit ” Për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vendimin Nr. 112 Akti datë 20.10. 2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë për shtetasin Sali Berisha”, datë 22.10.2023, është marrë informacioni nëpërmjet mediave se shtetasi Sali Berisha kishte njoftuar një konferencë për shtyp në orën 21.00 në selinë e Partisë Demokratike. Oficerët e policisë janë afruar afër këtij ambienti dhe kanë pritur mbarimin e konferencës për shtyp me qëllim kryerjen e ekzekutimit të vendimit.

Pasi përfundoi konferenca për shtyp, rreth orës 22.45 të datës 21.10.2023, kanë hyrë në ambientet e selisë dhe punonjësit të recepsionit i është kërkuar të njoftonte shtetasin Sali Berisha për t’i komunikuar një vendim. Në pritje e sipër, pasi nuk kanë marrë asnjë pergjigje, nga ana e punonjësit të recepsionit, janë ngjitur në katin e dytë, ku i kanë kërkuar personave që ishin të pranishëm, për t’i orientuar tek zyra e shtetasit Sali Berisha. Ata kanë takuar Akil Krajën, Drejtori i Kabinetit të Partisë Demokratike, ku këtij të fundit i kanë kërkuar që ta orientojë tek zyra e shtetasit Sali Berisha, për t’i komunikuar vendimin. Në pritje e sipër, është paraqitur shtetasi Ledio Nuraj, i cili është prezantuar si avokat dhe përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, të cilit i kanë kërkuar të njëjtën gjë njoftimin e shtetasit Sali Berisha për t’i komunikuar vendimin. Pas disa minutash, shtetasi Akil Kraja i ka komunikuar se duhet të ngjiteshin në katin e tretë dhe së bashku kanë shkuar tek zyra e shtetasit Flamur Noka, ku ishin të pranishëm Flamur Noka, Agron Kuliçi dhe Oerd Bylybashi. Këtyre të fundit u është kërkuar që të njoftonin shtetasin Sali Berisha.

Ky i fundit ishte brenda ambienteve të selisë Partisë Demokratike, por oficerët e policisë gjyqësore ishin në pamundësi të identifikonim zyrën ku ndodhej ai dhe kanë qëndruar pikërisht tek zyra e shtetasit Flamur Noka. Rreth orës 00.10, nga shtetasi Flamur Noka, i është komunikuar se nuk mund të qëndronin dot me në seli pasi nuk mund ta takonin shtetasin Sali Berisha, duke qenë se vendimi ishte ne shkelje te Kushtetutës dhe si i tillë nuk mund t’i komunikohej.


Më pas oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në banesën zyrtare të Berishës. Në hollin e shkallëve, ishte vendosur një shërbim për ruajtjen e banesës së shtetasit Jamarbër Malltezi, me qëllim kryerjen e kontrollit të banesës në datën 22.10.2023. Shërbimi ndodhej në holl të katit të tetë pasi në të njëjtin kat ishte edhe adresa e shtetasit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi. Rreth orës 00.25 të datës 22.10.2023 janë njoftuar nga shërbimet e policisë që ishin të vendosura aty se shtetasi Sali Berisha kishte hyrë në banesën që ndodhej në katin e tete. Në këto momente ata jane afruar në ambientet e banesës se tij ku ai ndodhej dhe pasi janë ngjitur në katin e tetë, kanë trokitur në derën e banesës. Dera është hapur nga shtetasi Shkëlzen Berisha, i biri i shtetasit Sali Berisha, ku pasi iu shpjegua arsyeja e marrjes së kontaktit nga ana e tyre, u kërkua të njoftohej Sali Berisha për t’u njohur me vendimin gjyqësor dhe urdhrin e ekzekutimit të dërguar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai ka thënë se babai i tij nuk dëshironte të takohej me asnjë njeri dhe se orari ishte i papërshtatshëm, duke lënë si mundësi ardhjen e tyre të nesërmen në datën 22.10.2023. Në këto kushte oficerët e policisë gjyqësore janë larguar nga këto ambiente, për ta njoftuar në një moment të dytë.

Rreth orës 09:45, po të datës 22.10.2023, oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar sërish në banesën ku jeton Berisha. Dera është hapur nga vajza e tij, shtetësja Argita Malltezi. Pasi u njoftua për arsyen e ardhjes, kjo e fundit ka thënë se babai i saj nuk jetonte në atë banesë, por banonte në katin e katërt të po këtij pallati.


Sipas orientimit të saj, ata kanë shkuar në banesë dhe i kanë rënë disa herë ziles por nuk ka dalë asnjë person. Të ndodhur në këto kushte oficerët e policisë gjyqësore janë larguar. Me gjithë përpjekjet e oficerëve të policisë gjyqësore për ekzekutimin e urdhrit të SPAK, nuk u bë i mundur njoftimi personalisht i Berishës.

Nga ana e Prokurorisë, në kushtet kur i hetuari Sali Berisha refuzonte marrjen në dorëzim të vendimit, është urdhëruar oficeri i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Posaçme, për dokumentimin nëpërmjet procesverbaleve përkatëse, të faqeve online nga portale të ndryshme, ku njoftohet dijenia e të hetuarit Sali Berisha lidhur me masën e sigurimit të caktuar ndaj tij nga ana e gjykatës.


bottom of page