4 të reja kanë rënë në pranga pasi kishin përshtatur një qendër masazhi në çerdhe prostitucioni. Njëra prej tyre është administratorja e qendrës.
Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë 1 shtetase e punësuar në qendrën e masazheve dhe 4 shtetas të tjerë.Policia ka sekuestruar 6 aparate celulare, shumat 351.000 lekë të rinj dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Inside”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve:
– Xh. K., 28 vjeçe, B. K., 23 vjeçe, A. P., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.
Shtetasja Xh. K. administronte një qendër masazhesh, në rrugën “Margarita Tutulani”, në të cilën, përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit. Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. R., 31 vjeçe, punonjëse në këtë qendër masazhesh, si dhe për shtetasit E. A., 27 vjeç, E. C., 34 vjeç, S. M., 32 vjeç dhe A. P., 28 vjeç, klientë në këtë qendër masazhesh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 aparate celulare, shumat 351.000 lekë të rinj dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.”-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.