Korporata Elektroenergjitike Shqiptare nën administrimin e drejtorit Ergys Verdho shënon rekorde të shpërdorimit të buxhetit për importet e energjisë. Edhe në muajt e fundit të vitit 2022, kur situata e reshjeve në vend filloi të përmirësohej dhe ndihmoi në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, KESH dhe institucionet e tjera të këtij sektori blenë më shumë energji dhe shumë më shtrenjtë se bursa.
Shet lirë dhe blen shtrenjtë
Duhet të ishte e kundërta, por KESH-i i Verdhos e shet lirë energjinë dhe e blen shtrenjtë. Për periudhën Janar – Maj; 01-11 Qershor dhe 06-14 Dhjetor 2021 si rezultat i prurjeve të larta në kaskadën e Drinit, KESH ka kryer procedura të shitjes së energjisë elektrike në sasinë 1,125,827 MWh me çmim 48 euro/MWh, duke përfituar të ardhura në shumën 54,198,269 euro.
Në muajin dhjetor në datat 06-14 dhjetor 2021 në kushtet e prurjeve te larta, KESH ka kryer procedura të shitjeve të sasisë 18,180 MWH me çmimin 215 euro/MËH në shumën 3,899,689 euro.
Nga auditimi rezulton se: Për vitin 2021, KESH nuk ka arkëtuar 2,288,388.90 euro nga sasia e shitur ne kushtet e prurjeve te larta.
Shuma prej 2,288,388.90 euro paraqet detyrimin e mbartur nga shoqëria N4T, pasi kjo kompani duhej të arkëtonte 54,198,260 euro KESH-it nga blerja e energjisë elektrike ndërkohë qe ka arkëtuar vetëm 51,909,930.1 euro. Kështu Verdho, ia ka lënë këto pak miliona euro një kompanie private t’i përdorë ku
në tabelë vihen re çmimet qesharake me të cilat është shitur energjia elektrike.
Çmimet e Intitucionit nën drejtimin e Verdhos dhe të paraardhësit të tij Benet Beci për vitin 2021 janë mesatarisht 48 euro për MWh.
Ky institucion nën drejtimin e Ergys Verdho, ka rritur shpenzimet e importit në vitin 2022. Në një raport të publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, tregohet se në vitin 2022 janë shpenzuar më shumë fonde për të blerë energji, në raport me vitin 2021.
“Siç shihet nga krahasimi mes 2021 dhe 6-mujorit te pare te 2022, vlera e importit është rritur ndjeshëm, dhe ne 6 mujorin e pare te 2022, është 156% me madhe sesa vlera e importi total te 2021. Sektori elektroenergjitë ka importuar për vitin 2021 dhe 6 mujorin e pare 2022 në total 659,982,839 euro”, thuhet në raport.
Shitjet/blerjet për optimizim të Ergys Verdho
Për periudhën Korrik–Dhjetor 2021 janë realizuar shitje dhe blerje për të optimizuar portofolin financiar. Sipas raportit të KLSH, Departamenti i Operimit të Tregut nuk ka mundur të realizojë me sukses optimizimin e portofolit financiar nëpërmjet shitjeve/blerjeve për vitin 2021. Shitjet dhe blerjet e realizuara në pamje të parë perceptohet që janë realizuar me sukses, pasi çmimi i shitjes është më i lartë se ai i blerjes, por ajo që ka ndikuar në mos realizimin e procesit të optimizimit është se sasitë e blera nga KESH kanë qënë më të larta se ato të
shitjes dhe për pasojë kanë ndikuar që efekti financiar i të ardhurave të rezultojë me humbje në shumën 5,840,019 euro për vitin 2021. Pra, ku fut duart Verdho, bilanci del me të kuqe. Në muajin Dhjetor 2021, sipas raportit, KESH ka kryer procedura për optimizimin e portofolit financiar, por siç pasqyrohet në tabelë, korporata ka shitur 240 MWh me një çmim mesatar 450 euro/MWH, por ndërkohë ka blerë një sasi të madhe prej 29,364 MWH me çmim mesatar 236 euro/MWh. Kjo ka sjellë që ky operacion të rezultojë me një tregues negativ në portofolin financiar të KESH me 6,835,026 euro.
I njëjti fenomen përforcohet edhe gjatë vitit 2022. Nga auditimi i disa procedurave me zgjedhje rastësore për vitin 2022 të zhvilluara nga KESH për optimizim të portofoli financiar. Grupi i KLSH përzgjodhi procedurën e muajit Shtator 2022.
Për sa tregohet, këto operacione nuk kanë rezultuar në rritjen e të ardhurave të shoqërisë po me humbje në shumën (49,612) euro. Në këtë procedurë KESH ka shitur 600 MWh me çmimin 601 euro/MWH në shumën 360,547.80 euro dhe ka blerë një sasi prej 780 MWH ose 180 MWH më shumë se shitja me çmim prej 525 euro/MWh, duke shpenzuar shumën prej 410,160 euro.
Bursa HUPX nxjerr zbuluar Verdhon
Ndërkohë, ajo që bie në sy është se gjatë vitit 2022, KESH ka vazhduar të blejë energjinë më shtrenjtë se bursa e huaj dhe e ka shitur më lirë.
Konkretisht, KLSH ka marrë në shqyrtim blerjet e bëra nga KESH në datat 6 tetor deri në 10 tetor të vitit 2022. Ku KESH planifikonte blerje me vlerë 3.345.408 Euro. Ndërsa sipas KLSH, nëse do të ishte marrë për bazë çmimi i bursës hungareze në këto data, KESH mund të kursente 303,443 Euro.
“N.q.s. marrim për referencë çmimet e bursës HUPX të realizuara të javës paraardhëse, konkretisht e Mërkurë datë 6 deri të Dielën datë 10 Tetor 2022, çmimi i bursës HUPX në profilin 10-16 ishte realizuar në vlerën 207,92 Euro/MWh. Sasia për lotin 3 (opsional) do të jetë 6,600 MWh. Kosto Blerje do të ishte 1.372.272 Euro (6,600 * 207,92).
Pra, sipas planifikimit të grupit të KLSH sasia prej 14400 MWh që përbën shumën totale të Lotit do të mund të blihej në shumën 3.041.965 Euro.
Në referim me përzgjedhjen e fashës orare nga sektori i tregtimit te FTL dhe ato te supozuara nga grupi i KLSH kemi një diferencë prej 303,443 Euro, çka tregon që shoqëria gjatë planifikimit mund të shpenzonte 303,443 Euro më pak”, thuhet në raport.
Ndërkohë, KLSH konstaton se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka blerë energji më shtrenjtë se në vendet e tjera të rajonit dhe Europës, edhe në datat 13-17 tetor.
Sipas raportit, në këto ditë KESH ka blerë energji me vlerë 223,14 euro/MWh, ndërsa në bursa çmimi i energjisë regjistrohej në nivelin 14,400 MWh. Kështu, nëse KESH do blinte me këtë çmim do iu kursente taksapaguesve shqiptarë gjysmën e fondeve.
“Planifikimi i sasisë prej 14,400 MWh nga sektori i tregtimit te FTL, duke ju referuar çmimit HUPX për periudhën 13-17 Tetor në profilin 07-23 rezultoi me 223,14 euro/MWh. Nëse FTL do të realizonte procedurën e blerjes se Lotit 2, për sasinë 1,4400 MWH do te shpenzonte 3,213,216 euro (14,400 * 223,14)”, përcakton KLSH.
Nga përllogaritjet totale, vetëm në këto 11 ditë Verdho ka shpenzuar 625 mijë uro më shumë për energjinë për shkak të menaxhimit të importit.
“Për sa më lart, nga përzgjedhja rastësore e një procedure blerjeje nga një prej shoqërive të sektorit të energjisë elektrike tregon rëndësinë që ka planifikimi optimal i profilit dhe fashës orare, pasi planifikimi i gabuar i tyre nuk mundëson optimizimin e shpenzimeve të blerjes së energjisë elektrike duke rritur shpenzimet dhe kostot e blerjes së energjisë elektrike”, thekson KLSH.
Ndërsa në atë kohë Kryeministri Edi Rama me ministren e MIE, Belinda Balluku iu bënin presion qytetarëve që të kursejnë, sepse rritën fondet për tenderat e blerjes së energjisë. E pra, kleçka nuk ka qenë tek kriza e prurjeve nga hidrocentrale, por keqmenaxhimi e fondeve nga Ergys Verdho.