Kontrolli i Lartë i Shtetit gjykon se Rrjeti Akademik Shqiptar një institucion që ka ndërtuar sisteme informatike me programues që janë punonjës të institucionit duke ofruar zgjidhje për informatizimin e disa proceseve në universitete nuk është mbështetur financiarisht nga qeveria duke u lënë në mëshirë të fatit.
Një auditim i fundit i KLSH që ndalet tek teknologjia e informacionit dhe konkretisht “Mbi auditimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në rrjetin akademik shqiptar” konstaton se ekzistenca e institucionit është vënë seriozisht në rrezik.
“Grupi i auditimit mbështetur në Standardet ndërkombëtare të Auditimit përkatësisht në ISSAI 100, ISSAI 5300, ISSAI 5310 si dhe nenet 3 dhe 14 të ligjit 154 “Për Organizimin dhe Funksionimin e KLSH” datë 27.11.2014 konstaton se, Rrjeti Akademik Shqiptar është i vetmi institucion në vend që ka zhvilluar dhe ndërtuar disa sisteme informatike me programues të cilët janë punonjës të institucionit, duke ofruar zgjidhje në informatizimin e proceseve të administrimit të brendshëm dhe akademik të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe informatizime të rëndësishme për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Për Rrjetin Akademik Shqiptar nuk është financuar asnjë e ardhur nga buxheti i shtetit apo buxhetet e universiteteve, me qëllim mirëmbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve informatike që ka ndërtuar dhe ofron për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Nga Ministria e Arsimit dhe Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, megjithëse si institucione themeluese të RASH, nuk është zbatuar pika 5/c e VKM nr.88, datë 14.02.2018, në të cilën ato përcaktohen si burime të financimit të Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, duke vendosur institucionin në kushtet e riskut të ekzistencës së tij dhe të zhvillimeve e produkteve informatike të rëndësishme që ka ofruar deri tani” thuhet në raportin e auditimit.
KLSH ka rekomanduar që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Institucione e Arsimit të Lartë, si anëtarë të asamblesë së Rrjetit Akademik Shqiptar të marrin masa për të vënë në funksion të administrimit të tyre akademik dhe administrativ produktet informatike që janë zhvilluar nga RASH si asete të rëndësishme në drejtim të inovacionit dhe të bashkëpunojnë në mënyrë aktive në përmirësimin e tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të informatizojnë më shumë procese dhe me më pak kosto financiare.