Lajmi kryesor i këtyre ditëve ka qenë operacioni i SPAK-ut pas çkodimit të aplikacionit “SKY” në lidhje me komunikimet e bëra nga Ervin Mata, i cili sipas organeve ligjzbatuese dhe atyre të akuzës tashmë është provuar si një nga njerëzit kryesorë të trafikut të kokainës nga Amerika Jugore drejt Evropës.
Në këtë trafik janë përfshirë gjithashtu edhe shumë personazhe të tjerë të botës së krimit, disa prej tyre të arrestuar.
Ervin Mata, personi kyç, nuk është mundur të arrestohet dhe sipas të dhënave gjendet në Amerikën Jugore. Nga ana tjetër, në media është përfolur shpesh për lidhjen e këtij të fundit me një këngëtare të njohur të skenës shqiptare. Lajmi bëri bujë nga një ngjarje e fortë kriminale e ndodhur në ish-bllok pak vite më parë, ku pati edhe viktima.
SPAK ka renditur më pas sasi të mëdha droge, histori, skema dhe skenarë, por edhe çështje të tjera në hetim. Kuptohet, mediat në krye të lajmit kanë mbajtur Erzen Breçanin, Ervin Matën, këngëtaren e njohur e kështu me radhë. Disa gazetarë janë fokusuar edhe te personazhe të tjera të botës së krimit, me emra të ndryshuar, që dyshohen për përfshirje në vrasje.
Në leximin e detajeve mes rreshtave të akuzës së SPAK-ut apo dhe nga të dhënat e siguruara nga ky institucion se gjithashtu ka një hetim për një nga investimet e mëdha që po ndodhin në kryeqytet, i cili po bëhet nga kompania e babait të Ervin Matës, “Victoria Construction”, në qendër të kryeqytetit.
Flasim për ndërtimin tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”, një nga vendet më strategjike sot në Tiranë, me leje ndërtimi marrë nga “Victoria Construction”, e cila është themeluar në vitin 2002 dhe është në pronësi të babait të Ervin Matës, zotit Luan Mata.
Kulla, e quajtur “Ekspozita Building”, me lartësi 93 metra, do të ketë 24 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë. Sipërfaqja e përgjithshme e 24 kateve do të jetë rreth 42 mijë metra katrorë dhe do të shërbejë si qendër tregtare, ambiente për zyra dhe banim.
Kompania “Victoria Construction” që do të ndërtojë kullën është vënë nën hetim nga SPAK-u dhe mjafton të shikosh bilancet e QKB-së, ku ka dhe pasaktësi, ka fitim të pashpërndarë në vite, rritje kapitali e të tjera si këto, të cilat kanë filluar që pas vitit 2009, ku kapitali i kompanisë ka nisur rritjen në një fitim të pashpërndarë që nga viti 2013.
Por një fakt interesant është se te ndërtimi tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot” shlyerjet e para fillon t’i bëjë një kompani. Ka një derdhje nga “Marketing Distribution” 116 milionë lekë të rinj ose 1 miliard e 160 milionë lekë të vjetër, një vit përpara se të jepej leja e ndërtimit nga qeveria dhe Bashkia TIranë.
Në një pronë që ka pasur shumë diskutime me dekada, procese gjyqësore dhe përplasje shtet- pronarë etj, merret nga babi i Ervin Matës, Luan Mata, sigurohet leja e ndërtimit dhe sipas bilancit rezultojnë në vitin 2018 se “Marketing Distribution”, që është kompania e zotëruar nga shtetasja Vilma Nushi, kompania e famshme e “check up”-it në Shqipëri, e cila rezulton të ketë një derdhje prej 1.16 miliardë lekësh dhe kjo duket sikur është edhe shuma e parë e investimit.
Por më pas, pas dy vjetësh dhe më tej ka disa lëvizje dhe nga investitorë. Në vitin 2020 në tabelat e bilancit hiqet emri i “Marketing Distribution”, i cili ka qenë në fakt në vitin 2018 edhe kontribuesi kryesor për fillimin e një investimi, për një godinë 29 kate, me 5 kate parking në bulevardin “Gjergj Fishta”, tek ish-ekspozita, me leje ndërtimi të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i kryeministrit Edi Rama.
Por siç theksuam, pas heqjes nga tabelat e bilancit në vitin 2020 të emrit të babait të Ervin Matës, Luan Mata dhe kompanisë “Marketing Distribution” 100% në pronësi të Vilma Nushit, pra kompanisë së “check up”-it, nuk ka një qartësim, sipas të dhënave që lexohen në ekstrakt, a është larguar kjo kompani si investitore?
Në vitin 2021, në deklarim shikon se kompania “Marketing Distribution” nga kontributi i parë 1.16 miliardë lekë të vjetër, ka shkuar në 3.5 miliardë lekë, pra në 351 milionë lekë të rinj, sipas të dhënave të deklaruara në QKB.
Gjithashtu ka edhe debitorë të tjerë si kreditorë, të cilët nuk shfaqen me emra, vlera e të cilëve fillon nga 30 milionë lekë të vjetër deri në rreth 220 milionë lekë të tjera. Bie në sy një kreditor pa emër me rreth 1 miliard lekë të deklaruara në bilancet e dorëzuara nga kompania “Victoria Construction” në QKB.
Sipas këtyre të dhënave që janë një lexim i thjeshtë i vetëdeklarimeve të kompanisë kryer në shtet, rezulton se “Marketing Distribution”, kompania e Vilma Nushit që ka fituar koncesionin e “check up”-it ka investuar te kulla 29 kate e babait të Ervin Matës tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot”.
Kjo kullë përflitej shpesh se i ishte dhënë atij nga Bashkia e Tiranës dhe nga qeveria, pasi ai ishte një personazh mjaft i përfolur në kryeqytet dhe Ervin Mata do të ekspozohej gjatë 2018-ës, siç e theksuam më lart, pas përplasjes me Martinajn në një ngjarje kriminale me një viktimë në zonën e ish-bllokut.
Gjithashtu rezulton se Vilma Nushi fillimisht kontribuon me 1.16 miliardë lekë, pra me 116 milionë lekë të rinj dhe më pas në gati 3 vite kjo vlerë trefishohet dhe shkon në 3.5 miliardë lekë të vjetër ose 351 milionë lekë të rinj.
Një lidhje që po hetohet nga SPAK-u. Investimi, objekti nuk është sekuestruar nga ky institucion. Burime nga SPAK kanë pohuar për CNA se janë duke u kryer hetime në lidhje me këtë investim, burimet e të ardhurave e të tjerë, por sipas asaj që deklarohet nga vetë kompania, tani kemi një pamje më të qartë ku kompania e “check up”-it është bashkinvestitore me babain e Ervin Matës te kulla me 29 kate tek ish-ekspozita “Shqipëria Sot