top of page

Kompania e ish drejtorit të hipotekës fiton tenderin 4.5 milionë euro të Kadastrës


Një bashkim mes kompanive Soft & Solution dhe Fastech është shpallur fitues në tenderin 4.5 milionë euro për përmirësimin e sistemit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Gara për sistemin e Kadastrës me fond limit 482.9 milionë lekë u shpall nga AKSHI në fund të qershorit dhe në procedurën e prokurimit u paraqitën 3 oferta.


Ato ishin Kreatx me 362.8 milionë lekë, Soft & Solution dhe Fastech me 449.2 milionë lekë dhe Horizon me 468.5 milionë lekë. AKSHI ka vendosur të shpallë fitues bashkimin e Soft & Solution dhe Fastech, edhe pse oferta e tyre ishte 800 mijë euro më e shtrenjtë se ajo e Kreatx.


Megjithatë kjo është vetëm shpallja paraprake e fituesit. Kontrata nënshkruhet pasi të jenë kaluar të gjitha fazat e ankimimeve të mundshme, përfshirë ato në Komisionin e Prokurimit Publik. Nuk dihet akoma nëse shpallja e fituesit në këtë tender do të ankimohet, por oferta e shpallur fituese është 22 për qind më e shtrenjtë se ajo me vlerën më të ulët.


Soft & Solution është një nga kompanitë më të mëdha kontraktore të AKSHI-t. Ajo zotërohet nga Ermal Beqiri, i cili më parë ka mbajtur rolin e drejtorit informatik të ZRPP. kompania e tij ka fituar milionë lekë tendera nga ZRPP.


Po kështu kjo kompani ka qenë e përfshirë edhe në skandalin e byzylykëve për të dënuarit, për të cilin u kallëzua në prokurori nga ministria e Drejtësisë. Hetimet u mbyllën, por tani palët janë në një proces gjyqësor sepse ministria e Drejtësisë u ka kërkuar kompanive Soft & Solution, Fastech dhe Ratech të kthejnë mbrapsht 1.5 milionë euro.

Përplasje me BE


Tenderi për përmirësimin e sistemit të Kadastrës, ka shkaktuar përplasje mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian. Në shtator të vitit të kaluar, Bashkimi Europian përmbylli një tender 1.85 milionë euro për ngritjen e sistemit të integruar të informacioni kadastral dhe të tokës në Shqipëri (referuar si ACLIS).


Kontrata, e cila ishte pjesë e një program për ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe dixhitalizimit total të pronave, u fitua nga një bashkim prej dy kompanish, sllovenja Synergise dhe shqiptarja Datech.

Por sapo kompanitë do të nisnin punën, qeveria shqiptare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftuan Bashkimin Europian për bllokimin e tenderit.


“Autoritetet shqiptare njoftuan BE-në për zhvillimin e mëtejshëm paralelisht të sistemit ekzistues të IT-së dhe nisën një tender të ri për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tij. Si rezultat, aktivitetet në kuadër të projektit/kontratës ACLIS janë ndalur derisa të arrihet një zgjidhjeje përmes një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe BE-së,” konfirmoi zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë pak ditë më parë.


Fastech është një kompani shqiptare IT-je, e cila më parë është përfshirë në skandalin e kamerave të mbikqyrjes për burgun Lezhë dhe Fushë Krujë.

bottom of page