top of page

Koncesioni i skanimit nuk ngopet, fitimet rriten me 57%


Fitimi neto i kompanisë që ka koncesionin e skanimit u rrit me 58 për qind vitin e kaluar, krahasuar me një vit më parë. Të dhënat zyrtare nga bilanci i dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se për vitin 2022, kompania S2 Albania regjistroi një fitim neto, pas taksave, në masën 221.5 milionë lekë ose  mbi 2.1 milionë euro.

Krahasuar me vitin 2021, fitimi i regjistruar nga kompania u rrit me mbi 80 milionë lekë ose 57 për qind. Të dhënat e detajuara tregojnë se zgjerimi i fitimeve ka ardhur si nga rritja e të ardhurave ashtu dhe nga rënia e shpenzimeve. Për vitin 2022, kompania koncesionare e skanimit arkëtoi 1.618 miliardë lekë nga buxheti i shtetit me një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, shifra e fitimit të shënuar nga S2 Albania nuk e tregon të gjithë panoramën fitimprurëse të koncesionit. Një pjesë e fitimet që gjeneron ky koncesion nuk shfaqen në bilancet e kompanisë koncesionare, pasi transferohen tek ortaku i saj ICMS.


Skemë transferimi

S2 Albania, kompania që ka koncesionin e skanimit të kontenierëve në doganat shqiptare zotërohet nga dy pronarë. Ata janë amerikania Rapiscan Systems, Inc, që zotëron 51 për qind të aksioneve dhe shqiptarja ICMS, e cila ka 49 për qind të aksioneve në kompaninë koncesionare S2 Albania.

ICMS zotërohet nga biznesmeni shqiptar Olti Peçini. Mënyra se si kjo kompani arriti të shtjerë në dorë gjysmën e aksioneve të konçesionit të artë shkaktoi dyshime të mëdha. ICMS i bleu 49 për qind të aksioneve të koncesionit, i cili do të gjenerojë të paktën 200 milionë euro në gjithë jetëgjatësinë e tij, për vetëm 450 lekë.


Çështja shkaktoi tërmet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u hetua për korrupsion. Pas përfundimit të hetimeve, gjykata dënoi disa nga drejtuesit e kompanisë amerikane, pasi ata nuk kishin lajmëruar aksionerët se kishin shitur gjysmën e aksioneve në Shqipëri.


Që nga momenti kur u bë aksionere në kompaninë koncesionare, ICMS arkëton mesatarisht 350 milionë lekë ose 3.4 milionë euro në vit nga S2 Albania si nënkontraktim për shërbimin e mirëmbajtjes së skanerave dhe punë të tjera.


Të dhënat e bilancit të ICMS tregojnë se ajo arkëton para vetëm nga S2 Albania. Në finale nënkontraktimi nga S2 Albania tek ICM është një skemë që transferon një pjesë të fitimeve të koncesionit tek kompania shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022, ICM fitoi 172.8 milionë lekë pas taksave nga biznesi që bëri me S2 Albania.

Pra në total koncesioni i skanimit ka gjeneruar plot 394 milionë lekë ose 3.75 milionë euro fitime neto në vitin 2022, të cilat u shpërndanë mes kompanisë koncesionare S2 Albania dhe ortakes së saj ICMS.


Koncesioni i Skanimit


Koncesioni i skanimit u dha në vitin 2013 nga qeveria në ikje e Sali Berishës. Pas rrotacionit politik, Edi Rama u angazhua për ta anulluar koncesionin. Për këtë qeveria shqiptare pajtoi kompaninë e bashkëshortes së Tony Blair si konsulente.


Pasi mori qindra mijë euro pagesa nga buxheti i shtetit, kompania britanike e këshilloi qeverinë shqiptare të mos e anullonte koncesionin. Ajo që ndodhi ishte një rinegocim i tij.


Qeveria e Edi Ramës ndryshoi skemën e financimit të koncesionit, duke ja hequr pagesat biznesit dhe duke i marrë ato përsipër nga buxheti i shtetit. Rinegocimi uli tarifat, por zgjeroi bazën duke futur në pagesë çdo deklaratë doganore.


Opozita e ka akuzuar qeverinë se përmes rinegocimit i dha më shumë para kompanisë, kurse qeveria pretendon të kundërtën. Por përtej akuzave, shifrat konfirmojnë një fakt të pamohueshëm. Skanimi po prodhon rreth 4 milionë euro fitime në vet për ata që qëndrojnë pas tij. Para të cilat qytetarëve shqiptarë u merren me forcën e ligjit.

bottom of page