Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar “Raportin e Performancës”, pas auditimit të gjithë institucioneve shqiptare ku përfshihen: 61 bashki, shoqëri publike, investime të huaj, etj. Një ndër institucionet që është kapur me shkelje është dhe Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj.
Pavarësisht propagandës dhe daljes së tij të përditshme në media, se në territorin e bashkisë që ai drejton janë mbjellë më shumë se 1 MILION PEMË dhe së tashmë në mandatin e tij të tretë Tirana ka hyrë në gjysmën e misionit për të mbjellë 2 MILIONË PEMË, auditimi ka konstatuar tjetër gjë.
“Sot politika, jo ajo e partive, por politika e qytetit, duhet të jetë bashko, bashkëpuno, afroi njerëzit, lër një shenjë dhe kur secili mund të thotë kam një kontribut te ky 1 milionësh, atëherë secili e ka kryer misionin e tij si kryeqytetas”, ka deklaruar ndër të tjera Erion Veliaj.
Kjo deklaratë e tij rezulton të jetë bërë më datë 26 Mars 2023 dhe është shpërndarë e njëjtë nga pjesa më e madhe e mediave që financohen nga kryebashkiaku i Tiranës, i njohur për propagandën e tij mediatike. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka shpërndarë një artikull që është i njëjtë me pikë e me presje në shumicën e mediave.
Por këtë propagandë të kryebashkiakut socialist e rrëzon “Raporti i Performancës” i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga auditimi ka dalë se pavarësisht premtimeve dhe ambicies së të parit të saj, Erion Veliaj, është shumë larg plotësimit të objektivave.
“Mjedisi po degradon me ritme të shpejta, fakt ky që reflektohet në probleme të tilla si pasiguria e tokës, përkeqësimi i cilësisë së ujit, ndotja e ajrit, zhurmat dhe problemet e depozitimit të mbeturinave, etj. Zhvillimi i pa kontrolluar urban ka shkaktuar ulje të raportit për frymë të hapësirave të gjelbra.
Tirana ka një raport të ulët të hapësirave të hapura të gjelbra për 100,000 banorë, i cili referuar Planit të Veprimit “Qyteti i Gjelbër është 4,6 ha për 100.000 banorë ose 0.46m2 /banor. Kjo vlerë është plotësisht e papërfillshme krahasuar me normën minimale të parashikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej 9m2 /banor dhe po njësoj e papërfillshme krahasuar me vendet e rajonit”, thotë Raporti.
Por mesazhi i Grupit të Auditimit rëndon edhe më tepër pozitat e Bashkisë së Tiranës, pavarësisht Planit të Veprimit “Qyteti i Gjelbër” dhe “Pyllit Orbital” të trumbetuar për vite me radhë nga Erion Veliaj.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se Tirana NUK KA HAPËSIRË PËR TË MBJELLË 1 MILIONË PEMË!
“Bashkia Tiranë, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj qytetarit, lidhur me hapësirat publike, gjelbërimin e qytetit, duhet të synojë në drejtim të rritjes dhe forcimit të masave për shtimin e hapësirave të gjelbra, të reja, në territorin që kjo bashki administron. Politikat e ndjekura në këtë drejtim, sa i takon objektivit 2 të shprehura në Planin e Veprimit “Qyteti i Gjelbër” janë ambicioze por ato duhet të shoqërohen me kapacitete të mjaftueshme financiare dhe logjistike nga ana e bashkisë.
Projekti i Pyllit Orbital për mbjelljen e pemëve, për shkak të pamundësive financiare për mbështetje me buxhet, si dhe problematikave që lidhen me mungesën e hapësirave të nevojshme për mbjellje dhe çështjeve të pronësisë rezulton me një nivel të ulët realizimi, megjithëse ka kaluar një pjesë e konsiderueshme e periudhës së zbatimit të këtij objektivi. Objektivat e tjerë të parashikuar në Planin e Veprimit që lidhen me shtimin e hapësirave të gjelbra me gjithë fokusin e Bashkisë Tiranë rezultojnë të realizuara jo në nivelet e pritshme dhe në përgjigje të ritmeve të rritjes së urbanizimit”, thuhet në mesazhin e Grupit të Auditimit, i cili i është përcjellë dhe Bashkisë Tiranë.
Eksperti i mjedisit Abdulla Diku sjell disa fakte interesante, se çfarë do të thotë sipas tij që në Tiranë të mbillen 1 milion pemë. Nëse vërtet kryeqyteti do të kishte kaq pemë të reja, siç ka deklaruar publikisht kryebashkiaku Erion Veliaj, do të gjelbëroheshin të dyja anët e rrugës nga Tirana deri në Kopenhagen.
“Nëse do ekzistonte mundësia për të mbjellë 1 milion pemë (drurë në fakt se pemët janë ato që bëjnë fruta e që hahen), do ishim në dilemë të madhe se çfarë do bëhej më parë… Do gjelbëroheshin dy anët e rrugës nga Tirana deri në Kopenhagën.
Do krijoheshin 10 parqe të tjerë, secili me sipërfaqe më të madhe se Parku i Liqenit artificial (përfshirë edhe sipërfaqen e vetë liqenit), i vetmi që kemi në Tiranë. Do mbillej një rresht me drurë që do mbulonte 12.5% të gjithë gjatësisë së perimetrit (Ekuatorit) të Tokës. Kur të rriteshin 1 milion pemët, gjatësia e tyre do mbulonte 50% të asaj gjatësie”, thotë eksperti i mjedisit.
Më tej, Abdulla Diku shpjegon se nëse do të ishin mbjellë vërtet 1 milion pemë, dendësia e tyre do të ishte aq e madhe sa do të rrethohej me pesë rreshta rreth e përqark vija kufitare e Shqipërisë. “Ose çdo banori të Tiranës do i ishte shtuar sipërfaqja e gjelbër me së paku 3m2”, vijon ai.
Eksperti i mjedisit thotë se nëse Tirana sot do të kishte 1 milion pemë, kryeqyteti i Shqipërisë do ishte më i shëndetshmi në Evropë dhe në verë, ato do të ndikonin në uljen me 5 gradë celcius të temperaturës, si dhe ndotja e ajrit do të ishte ulur me 30%.
“Tirana ka një raport të ulët të hapësirave të hapura të gjelbra për 100,000 banorë, i cili referuar Planit të Veprimit “Qyteti i Gjelbër është 4,6 ha për 100.000 banorë ose 0.46m2/banor. Kjo vlerë është plotësisht e papërfillshme krahasuar me normën minimale të parashikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prej 9m2/banor dhe po njësoj e papërfillshme krahasuar me vendet e rajonit”, konstaton edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Mirëpo, pavarësisht deklarimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj se nën drejtimin e tij në Tiranë janë mbjellë 1 milion pemë dhe ai është në gjysmë të misionit për të mbjellë 2 milionë, kryeqyteti i Shqipërisë nuk ka asnjë park tjetër në madhësinë e Liqenit të Tiranës, sipërfaqja e gjelbër për banor nuk është 3m2 dhe ndotja e ajrit nuk është ulur me 30%.
Deklaratat e Erion Veliaj nuk përputhen as me logjikën dhe teoritë shkencore, sepse që një pemë të quhet e maturuar duhet të kenë kaluar të paktën 8 vite nga mbjellja e saj dhe ajo duhet të ofrojë shërbime në ekosistem, si hijëzimi, absorbimi i dioksidit të karbonit, çlirimi i oksigjenit në mjedis, etj.