top of page

Korrupsion me fondin e romëve, Andis Salla jep 383 MLN lekë pa garë

  • Writer: Editor 1
    Editor 1
  • Oct 9, 2023
  • 2 min read

Korrupsion me fondet e shtresave në nevojë. Kryebashkiaku i Cerrikut, Andis Salla, më 6 tetor 2023 ka firmosur një kontratë të dyshimtë për fondin e caktuar për komunitetin rom. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Përmirësim i banesave ekzistuese për komunitete te varfra dhe pa favorizuara”, kryesisht romët.  Për këtë tender projekti ka parashikuar fondin limit 383 milionë lekë.

Siç del nga dokumenti Salla ka preferuar të shkelë ligjin për prokurimet dhe të shpallë automatikisht fituese firmën e vetme që u paraqit në komisionin e vlerësimit. Kështu, në dokumentet e publikuara evidentojmë që tenderi është dhënë pa garë. “Z D R A V A” shpk është kompania që ka dërguar një ofertë me vlerë sa 89% e fondit limit. Në këto kushte gara duhej anuluar, por kryebashkiaku e kishte paracaktuar përfundimin e tenderit.

Për këto shkelje të mëdha, monitoruesi Open Data e ka shënuar tenderin me “Flamur të kuq”, duke treguar riskun e lartë të korrupsionit me fondin e prokuruar.

Dashnor Sinanaj, pronari i kësaj kompanie është në listën e preferuar të kryebashkiakëve. Kujtojmë se kompania ka përfituar një pjesë të madhe nga projekti i “5 Majit” në kryeqytet, Erion Veliaj prishi qindra shtëpi më vend të tyre po ndërton pallate.

Duke parë në foto gjendjen e shtëpive, mund të thuhet se është një hap i mirë që më në fund bashkia e Cerrikut u kujtua dhe për këtë komunitet. Por, nisur nga abuzimi me tenderin, nuk pritet që projekti të zbatohet ashtu siç është shkruar në letra.Fondi për komunitetin rom dhe familjet e tjera në nevojë është bërë objekt i abuzimit edhe në bashki të tjera që kanë përfituar njëkohësisht. Në këto bashki vidhen lekët e projektit “përmirësimi i kushteve të jetës”, sikur së ndodh me rastin e Përrenjasit dhe së fundmi në Cërrik.

Disa muaj më parë u bë publike në media gjendja e komunitetit egjiptian në Cërrik, ku 107 banorë që banojnë në ish-ndërtesën e vjetër të shkollës “Tomor Sinani” kanë një banjë të përbashkët. Me prishjen e sistemit komunist 26 familje egjiptiane u sistemuan në këtë godinë ku vazhdojnë të jetojnë edhe sot në kushte të mjerueshme.

Familjet me shumë kurora ndahen nga njëra -tjetra me një çarçaf të vënë në mes, pasi jetojnë në një dhomë.Para disa viteve u fol se në Cërrik do të ndërtoheshin 5 pallate për strehimin e të pastrehëve, më veçanti të egjiptianëve. Dhe  plani parashikohej të vihej në zbatim gjatë viteve 2019-2022. Por nuk ndodhi. Në vend të pallateve u hodhën vetëm themelet të cilët mbeten gropa deri ditën e sotme. Ditë më parë u denoncua si kreu i bashkisë Përrenjas abuzoi me tenderin 350  milionë lekë nga fondi që ishte përcaktuar për familjet rome dhe ato të varfra.

Commentaires


bottom of page