Është rasti i dytë që po raportojmë abuzimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, me paratë e ushqimeve të mensave për “personat me paaftësi” . Dhe nuk ndalën denoncimet për këtë prokurim, çka na bind se babëzia e zyrtarëve nuk ndalet as para bukës së personave në nevojë.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Furnizimin dhe shërbimet me ushqim për mensa”, i zhvilluar në fund të vitit 2023 nga Qendra Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuar Tiranë, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë. Drejtorja Arlinda Bilali nuk arrin ta përfundojë prokurimin me sa duket e bllokuar nga direktivat e kryetarit Veliaj dhe nga ana tjetër e përplasjes së biznesmenëve të favorizuar nga kryetari i bashkisë.
Për këtë tender janë vënë në dispozicion 83 milionë lekë dhe fillimisht u paraqitën 3 oferta, por dy prej tyre stafi i Veliajt i skualifikoi që në fazën e parë. Me sa duket kontrata i ishte premtuar kompanisë “Nelsa” SHPK, në pronësi të Elsa Kamberit.
Kompania është themeluar nga babai i saj biznesmeni Nexhmi Balla, që është i dënuar për korrupsion me tenderët.
Por në fillim të muajit prill është bërë një denoncim nga firma “4S” në pronësi të Xhino Sinani, djali i biznesmenit Shemsi Sinani. Më datë 5 prill 2024, publikoi dhe analizoi këtë denoncim, ku sqaruam se Sinani pretendonte që bashkia ka pranuar ofertën më të shtrenjtë. Sinani shprehet se oferta e tij është rrëzuar me argumentin që ‘është ofertë anomalisht e ulët’, ndërsa i është dhënë prioritet ofertës më të lartë. Në atë kohë, KPP e anuloi tenderin dhe për t’i mbyllur gojën Sinanit iu hap rruga kualifikimit të ofertës së tij dhe kontrata iu dha kompanisë “4 S”.
Denoncimi i Nexhmi Ballës
Epo komedia vazhdon! Pasi Veliaj i doli nga “premtimi” i mëparshëm dhe ia dha kontratën kundërshtarit të tij, Nexhmi Balla ka reaguar. Në datën 24 prill 2024 pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankimi elektronik i operatorit ekonomik “NELSA” SHPK.
Nga shqyrtimi paraprak i ankesës të sipërcituar, u konstatua se objekti i ankesës lidhet me vendimmarrjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga operatori ekonomik “4S” SHPK në procedurën e prokurimit.
Ndërsa më tutje theksohet se firma ‘4S’ ka ofertë anomalisht të ulët dhe nuk disponon të gjitha licencat që kërkohen për furnizimin e mensave me ushqim.
“ Konkretisht në ankesë ngrihen pretendime se ofertuesi “4S” SHPK nuk përmbush kërkesat/kriteret si me poshtë: 1-Argumentimi i ofertës anomalisht e ulët. 2- 2.1 Kapacitetin profesional të operatorëve ekonomikë: 1. Operatori ekonomik pjesëmarrës, duhet të paraqes Licencë të kategorisë “II.1.A.1 – Prodhim, përpunim dhe shpërndarje me shumicë e ushqimeve për njerëz” të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Ne zbatim te rekomandimit të përbashkët të APP-së dhe AKU-së të datës 19.11.2018 nuk lejohet përdorimi i Licencës së një operatori tjetër ekonomik”, thuhet në ankesë.
Ndërsa mensat rrezikojnë të mbeten pa furnizime, biznesmenët e Lali Erit bëjnë ‘luftë’ se kush do të përfitojë aferën e radhës. Ata sundojnë tregun e furnizimit me ushqime të institucioneve përmes tenderave të korruptuar dhe dhe në këtë rast po i nxjerrin të palarat njëri-tjetrit. E reja në këtë histori është se Lali Erit po i del një rival në shpërndarjen e parave, KPP e drejtuar nga Jonaid Myzyri. Asnjëra palë nuk ka shqetësim ushqimin e mensave, por kush do ta përfitojë fondin e taksapaguesve kryeqytetas.
Kujtojmë se Qendra Komunitare për Personat me Aftësi të Kufizuar u krijua në dhjetor të vitit 2022 dhe nisi punë në mes të vitit të kaluar me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë këtyre personave.