top of page

Korrupsioni vret kudo, edhe në burgje


Klodian Tomorri

Në vitin 2018, teksa prezantoi drejtorin e ri të Policisë së Burgjeve, kryeministri Edi Rama parlajmëroi se epoka e veprimtarive kriminale në burgjet shqiptare do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.  Para drejtorëve të Burgjeve në rrethe, Rama foli për një vendim të ri të qeverisë, i cili do të financonte vendosjen e kamerave në të gjitha burgjet për të monitoruar në kohë reale të dënuarit.

“Rregullorja do të jetë precize dhe do ketë kamera 24 orë, duke filluar që nga burgu 313 e më pas në të 24 institucionet e tjera. Kamerat nuk do shihen vetëm nga Drejtoria e Burgjeve por dhe Operacioni “Forca e Ligjit”, pra do ketë dy salla monitoruese 24 orë, që askush mos fshihet nga batanija që i hedh kamerave,” u shpreh Rama.

Në tetor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare shpalli përmes AKSHI-t një tender me vlerë 611 milionë lekë ose mbi 6 milionë euro me kursin aktual. Objekti i tenderit ishte ““Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Brenda 18 burgjeve përfshihej dhe burgu i sigurisë së lartë në Peqin.

Në garë pati vetëm një ofertë. Ajo e bashkimit të shoqërive Advanced Business Solutions- Albascan- Real Com dhe CSP shpk. Këto shoqëri u shpallën fituese të tenderit duke ofruar cmimin 568.6 milionë lekë ose 5.6 milionë euro.

Kontrata e firmosur në 19 dhjetor të vitit të kaluar parashikonte se shoqëritë do të mirëmbanin sistemin e sigurisë në burgje, përfshirë kamerat e sigurisë në kushte optimale pune 24 orë në 7 ditë.

Në fakt, pajisja e burgjeve me kamera në Shqipëri ka nisur dy dekada më parë. Në vitin 2003 qeveria shqiptare filloi një proces të gjerë investimesh për rritjen e sigurisë në burgje duke instualuar në atë kohë 2200 kamera sigurie, të cilat monitoronin 24 orë, 18 burgje anembanë vendit.


Tenderi i shpallur në fundit të vitit të kaluar parashikonte përmirësimin e mëtejshëm të sistemit, përfshirë zëvendësimin e kamerave që mund të ishin amortizuar apo kishin dalë jashtë funksionit. Por korrupsioni vret.

Këtë të shtunë policia shoqëroi 13 zyrtarë të burgut të Peqinit përfshirë drejtorin Kamber Hoxha. Sipas raportimit të koleges Klodiana Lala, Shoqërimi është bërë për faktin se në burg nuk punonte për një kohë të gjatë skaneri, por edhe disa kamera sigurie.

Advanced Business Solutions dhe Albascan janë dy kompani me background problematik. E para është denoncuar dhe akuzuar publikisht si kompani e oborrit kryeministror. E dyta, është një firmë e cila nga hiçi u shndërrua në vetëm pak vite në një përbindësh të fondeve publike.  

Shqiptarët paguan një çmim të inflatuar për sistemin e kamerave në burgje, disafish më të lartë se sa kostoja reale pikërisht për shkak të përfshirjes së kompanive me lidhje të forta në qeveri tek kjo kontratë. Tashmë që në burgjet shqiptare hyjnë armë dhe kamerat nuk punojnë dikush duhet të japë llogari ku shkuan 6 miliardë lekë. Jo vetëm policët e burgjeve.

bottom of page