
Që në orën 7:00, Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u paraqit në qendrën e votimit në shkollën ‘Dëshmorët e Lirisë’ për të votuar, por hasi fillimisht një problem me aparaturën e identifikimit elektronik.
Celibashi deklaroi se çdo gjë është përgatitur nga ana e KQZ-së për procesin zgjedhor , ndërsa tregoi se ka pasur problematika me komisionet e qendrave të votimit për shkak të tërheqjeve apo dokumentacionit jo të plotë të paraqitur.
Ai komentoi më tej edhe arrestimin e kandidatit të opozitës në Himarë, Fredi Beleri, duke thënë se nga pikëpamja e ligjit ai mbetet kandidat dhe do mund të votohet ditën e nesërme.
Celibashi shtoi se gjërat mund të ndryshojnë në lidhje me kandidimin e tij vetëm nëse ai dënohet me një vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejon kandidimin nga ligji i dekriminalizimit.