Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu zhvilloi sot në mjediset e KLSH-së, një takim me Ambasadorin Britanik në Shqipëri, Alastair King – Smith. Ambasadori Britanik shoqërohej në takim edhe nga këshilltarja politike, Artela Mitrushi.
Shehu e falenderoi Ambasadorin Britanik për takimin dhe shprehu vlerësimet e tij për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy vendeve. Më tej Shehu paraqiti një ekspoze të punës së institucionit, fushat me interes të veçantë, si dhe e vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim parandalimin në kohë të fenomeve negative.
Nga ana e tij z. King - Smith shprehu gjithashtu falenderimet dhe vlerësimet e tij për bashkëpunimin e ndërsjellë duke e vënë theksin tek forcimi i demokracisë, veçanërisht institucioneve të pavarura, nëpërmjet kulturës së llogaridhënies si një objektiv thelbësor.
Ambasadori theksoi punën e KLSH-së duke evidentuar cilësinë e raporteve të auditimit, jo vetëm për natyrën profesionale dhe rëndësinë që ato kanë për institucionet specifike, por edhe se ato shërbejnë si një burim tepër i besueshëm informacioni për median dhe publikun duke ofruar
transparencë. Kryetari i KLSH Shehu dhe Ambasadori King - Smith shprehën angazhimin e tyre të plotë për të thelluar më tej bashkëpunimin e dyanshëm në identifikimin e fushave me interes të përbashkët dhe forcimin e kapaciteteve.