KUKËS- Landfilli i Kukësit, i cili nisi si një investim emergjent në vitin 2021, tashmë ka përfunduar, por bashkia e qytetit ende nuk e ka vendosur në shfrytëzim, duke shkaktuar një krizë mjedisore në qytetin verior.
Dy vjet më parë, qeveria e Edi Ramës dhe kryebashkiaku i kohës, Safet Gjici, ngritën alarmin për situatën mjedisore dhe deklaruan se do t’i jepnin një zgjidhje sa më të shpejtë çështjes së mbeturinave.
U vendos që të ndërtohej fusha e re e mbetjeve me vlerë 250 mijë euro, si pjesë e një tenderi me vlerë totale mbi 2 milionë euro të Ministrisë së Turizmit, ku do të punohej edhe për mbylljen e landfilleve ekzistuese në disa qytete të tjera më të vogla.
Punimet për landfillin e ri përfunduan në vitin 2022. Por, kur ka kaluar më shumë se një vit nga ngritja e fushës së re të mbetjeve, ajo nuk është vënë në shfrytëzim. Konstatimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një audit të kryer së fundmi në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas KLSH-së, ndërtimi i vend-depozitimit është kryer si rezultat i situatës emergjente të mbetjeve në bashkinë Kukës.
Në raport thuhet se ky vend-depozitim nuk është vendosur në shfrytëzim edhe pse ka kaluar një vit nga përfundimi i punimeve dhe marrjes në dorëzim. Për audituesit shtetërorë, kjo tregon se, situate e mbetjeve në Bashkinë Kukës nuk ka qenë emergjente dhe investimi i kryer nuk ka qenë efikas.
Për sa më sipër vlera e investimit prej 27,921,485 lekë pa TVSH, të kryer në vend-depozitimin në Bashkinë Kukës, nga grupi i auditimit konsiderohet shpenzim pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet i fondeve publike deri në këtë fazë të menaxhimit të landfillit.