top of page

Kur shkojnë në SPAK, të gjithë harrojnë ku dhe sa kanë vjedhur

Askush nuk siguron miliona me punë, në një vend pa punë e prodhim, prandaj i tradhton edhe kujtesa...

Nëse Altin Dumani, do t’i pyeste ata që thërret në ASPAK, zotërinj, a mund të na thoni, pse duhet të vazhdoni të bëni punën e hajdutit, do kishim përgjigje perla.Secili do shfaqej më i ndershëm se tjetri, e do fliste për të nesërmen ndryshe.

Por pyetjet janë në kohën e shkuar dhe të tashme, pikërisht që e nesërmja të ndryshojë.

Sa pasuri keni, ku keni vjedhur dhe sa, me shifra?

Në këtë pikë hajdutët janë të dobët.Kacavirren si majmunë rrjedhave të 30 viteve dhe bien në grackën që nuk e prisnin, pyetja e prokurorit qenka më e fuqishme se shpata e Mbretit.

Mbretërit e mafies, sapo dalin nga dera e SPAK-ut, mendjen e kanë tek porta e burgut, ndaj edhe trullosen.

Disave e merret goja e nuk flasin, disa karikohen e recitojnë lëvdata për partinë, ca të tjerë nuk mbajnë mend as çfarë i pyetën.

Kështu u shfaq edhe një ekspert i Sigurisë sonë Kombëtare, para kamerave që prisnin perlën e radhës nga hajduti në radhë të burgut.

Sapo rrjeta e peshkut e përplasi tek rrjedha e drejtësisë, përtypi një fjali të shkurtër, margaritar që shndrit lajmet: “Nuk e di pse më thirrën”!

Pse të aludojmë se nuk ka të drejtë.

Marrim si mostër tre me germën I, se kemi shumë me të gjitha germat e alfabetit.

Ilir Meta, Ilir Kulla dhe Ilir Beqja, nuk e dinë çfarë ka SPAK-u me to.

Të tre janë nëpër zyra e nëpër punë, edhe pse fshatarët na luten përditë të përsërisim pyetjen, “zotërinj, a mund të na thoni, pse duhet të vazhdoni të bëni punën e hajdutit, pasi SPAK-u nuk ka punë me asnjë të pa përlyer në diçka të paligjshme?”

Ligjet, në kursin e fillestarëve, kërkojnë gjithnjë një pse?

Pse aman, nuk mban mend njeriu sa ka vjedhur, ku ka vjedhur dhe ku i ka paratë e pasuritë?

Maturia e momentit, na shtang, të japim atë që duhet, dosjet që ka secili hajdut të hetuara, siç kemi marrë ato që duhen, informacionet e sakta për cilindo ka abuzuar me pasuritë publike.

Asnjëri nuk ka imunitet përballë drejtësisë.

Veç ministrave, politikanëve, zyrtarëve, çdo krye bashkiaku mund t’i trokasë SPAK-u në derë, pasi secili ka dosje të trasha, se i kanë plotësuar pa gabime “spiunët” vullnetarë që kanë në stafet e veta.

Askush nuk siguron miliona me punë, në një vend pa punë e prodhim, prandaj i tradhton edhe kujtesa.

Cilitdo i mjaftojnë të ardhurat me djersë, nuk e tradhton mendja, nuk e zënë djersët dhe as habitet pse mafiozët, sapo shkojnë në SPAK, të gjithë harrojnë ku dhe sa kanë vjedhur!

bottom of page