Prokuroria e Korçës, me vrasjen e Eglantin Progës në Pogradec dhe pretencën “vrasje nga pakujdesia” të Vasjana Postol, na tregoi një tjetër anë të fytyrës së sistemit të “reformuar” të drejtësisë. Prokurorë e gjyqtarë të rekrutuar nga Shkolla e Magjistraturës në vitet post-reformë të sistemit të drejtësisë, ku një prej tyre është prokurorja Vasjana Postol, mund të shihen pas kësaj ngjarje potencialisht të gjithë si Vasjana.
Kush është Vasjana Postol?
Jepen shumë pak të dhëna zyrtare për CV-në e Vasjanës nga qeveria e prokurorëve KLP apo ata që i bënë vetingun dhe më pas e emëruan prokurore në Korçë.
Nga një hulumtim i shpejtë në qytetin e Korçës arrihet të krijohet një profil për prokuroren imcake Vasjana Postol. Vasjana është e bija e Efthimaqit dhe e Natashës dhe ka lindur më 11 shtator 1990 në Korçë. Shumicën e jetës e ka kaluar në Selanik dhe Drenovë.
Ka nisur rrugëtimin arsimor në Shqipëri, pasi u kthye nga emigracioni në Selanik të Greqisë rreth vitit 2003, pasi ishte larguar familjarisht në vitin 1994 kur ishte vetëm 13 vjeç. Në vitin 2012 është diplomuar në ciklin 3 vjeçar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 2014 përfundoi po në këtë fakultet Masterin Shkencor. Bashkëstudentët e brezit e kujtojnë si “studente mesatare, por që kishte lekë.”
Me përfundimin e fakultetit, sistemohet në Gjykatën e Korçës si sekretare gjyqësore e gjyqtarit Maksim Qiriazi, me të cilin punoi dy vjet.
Gjyqtari Qiriazi ka ndërruar jetë prej Covid-19 në vitin 2021 dhe nuk mund të pyetet për thashethemet e korridoreve të gjykatës, kur ai kishte kërkuar “ma hiqni qafe sekretaren që nuk di të shkruajë.”
Maksim Qiriazi nga ana tjetër është një prej 23 gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu revokua viza amerikane nga ambasada e SHBA me fillimin e vetingut në fund të vitit 2016.
Pasi largohet nga gjykata ku punoi për më pak se dy vjet në nëntor 2016, Vasjana aplikon për t’u punësuar në Bashkinë Korçë, me kryetar bashkie Sotiraq Filo, ku shpallet “fituese” për t’u punësuar në Drejtorinë Juridike të kësaj bashkie si Specialiste në Sektorin e kërkesave për regjistrimin e AMTP-ve.
Vasjana njihet nga kolegët e bashkisë si “e thekur pas Sotiraq Filos”, i njuhur si Raqka i Korçës dhe spikat si aktiviste për dy palë zgjedhje për kryetarin e Bashkisë Korçë.
Pa mbushur tre vjet punë si specialiste, në 2019 konkurron dhe “fiton” shkollën e Magjistraturës dhe kështu katapultohet nga punonjëse e Bashkisë Korçë në studente (prokurore) e Shkollës së Magjistraturës.
Konkurrentë humbës të vitit kur u zhvilluan provimet e Magjistraturës kujtojnë si Vasjana e bashkisë “fitoi” për prokurore, bashkë me dy korçare të tjera, Gentiana Shukullarin që ishte punonjëse e Këshillit të Qarkut Korçë dhe Lirëza Sinollarin që punonte në Prefekturën e Korçës; të dyja këto fituan për gjyqtare.
Të trija punonjëse të pushtetit vendor në Korçë të përkrahura nga Partia, nga punonjëse të nivelit të ulët ose të mesëm në bashki ose prefekturë, pa asnjë përvojë konkrete në sistemin e drejtësisë pse gjyqësor, nga viti 2022 japin vendime në emër të Republikës.
Vasjana Postol si prokurore në Korcë, Shkullari si gjyqtare po në Gjykatën e Korçës dhe Sinollari si gjyqtare e caktuar në Gjykatën e Vlorës.
Vasjana Postol, çuditërisht, si rrallëherë ndodh pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, KLP në 27 korrik 2022 e emëron prokurore në Prokurorinë e Korçës, praktikisht pak metra larg shtëpisë ku banonte prej disa vitesh bashkë me Ervin Xhihanin, bashkëjetuesin me të cilin ka edhe fëmijë.
Ervin Xhihani punon në Gjykatën e Korçës. Ai zbulua para disa ditësh nga media që është shoku i ngushtë i Budion Hoxhës, avokatit të njërit prej bashkëpunëtorëve që vranë Eglantin Progën.
Budion Hoxha ka qenë oficer policie në Drejtorisë e Policisë Korçë dhe ka mbuluar detyra edhe në Pogradec deri në vitin 2016, ku për arsye që nuk dihen largoht nga policia dhe filloi të ushtrojë avokatinë.
Ervin Xhihani, bashkëjetuesi i prokurores Vasjana Postol, nga qershori 2015 punon si Ndihmës Ligjor në Gjykatën e Shkallës së Parë Korçë.
Xhihani është shpallur fitues si Ndihmës Ligjor për në Gjykatën e Korçës nga një konkurs që organizoi në 2015, Ministria e Drejtësisë me ministër Nasip Naçon. Në korridoret e gjykatës është njohur me gruan e tij të ardhshme, Vasjana Postol.
Me shortin e datës 15 qershor 2021 të KPK-së, Xhihani ishte parashikuar të kalonte vettingun për të mbajtur pozicionin e punës, por sipas të dhënave në faqen e KPK, deri në nëntor 2023, Xhihani nuk i është nënshtruar vettingut.
Madje, Xhihani i pavetuar akoma nga KPK, ka paditur gjykatën ku punon për një çështje që ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë dhe është shqyrtuar në Dhomë Këshillimi në prill 2024, sepse pretendon të paguhet me 75% të pagës së një gjyqtari sipas ligjit të ri.
Xhihani, si ndihmës ligjor i gjykatës Korçë, ka dhënë mendim e përpunuar shumë dosje të gjyqtares Luljeta Kole, gjyqtarja që pranoi pretencën e gruas së tij, Vasjana Potol.
Disa prej dosjeve ku ka punar si Ndihmës Ligjor Ervin Xhihani, kanë për avokat mikun e tij të ngushtë Budion Hoxhën.
Ervin Xhihani njihet në qytetin e Korçës dhe Pogradecit për shoqërinë e ngushtë që ka me Budion Hoxhën, avokat me firmën e tij “Juris Legal Services” me zyrë pranë gjykatës dhe miqësinë me Bledi Çomon, ky i fundit sot është nënkryetar i Bashkisë Pogradec, por dhe avokat me zyrën “Çomo & Friends Law Group”.
Një prej miqve të ngushtë të kryetarit dhe nënkryetarit të Bashkisë Pogradec është Valter Gora personazhi famëkeq nga Buçimasi i Pogradecit.
Në qytetin e Pogradecit, nëpër dhëmbë përmenden “banditët me kollaro”: Budion Hoxha, Bledi Çomo, Ervin Xhihani, Ilir Xhankolli, Valter Gora, që përdorin për zgjedhje dhe mbarimin e punëve të pista banditët e rrugës që vranë Eglantinin.
Kush e vrau Eglantin Progën
Në Pogradec askush nuk flet hapur. Njerëzit kanë frikë. Druhen se kanë parë që askush nuk i mbron më pas nga kriminelët që kanë në dorë gjithçka “policinë, gjykatën, bashkinë dhe ata lart në Tiranë”, por gjithsesi njerëzit po tregojnë.
Denis Meçe është personi që po akuzohet si autor i vrasjes nga policia dhe prokuroria. Meçe është nip i Valter Gorës, dajë e nip të dy të ekspozuar si gangstera që kanë hyrë e kanë dalë nga burgu disa here për vepra të ndryshme penale.
Por në dhunimin barbar të Eglantin Progës dëshmitë nën zë flasin se kanë marrë pjesë të 4 personat e pranishëm në “Kafe Stropcka”.
Leonidha Guçe, që prokurorja “Xhihani” e ka konsideruar si të rastësishëm në lokalin ku ndodhi vrasja dhe e ka lënë të lirë bashkë me dy të tjerë me “detyrim paraqitje”, është një prej dhunuesve kryesorë.
Leonidha apo “Klodi” Guçe konsiderohet si një prej personazheve më të rrezikshëm të zonës Pogradec-Korçë dhe njihet si “Klodi i refugjatëve”.
“Denis Meçe është psikopat i droguar e punon për Klodin. Policia e Pogradecit është nën urdhrat e Klodit”, flasin zërat që nuk duan të shfaqen në publik.
Një burim i Policisë Pogradec tregon se “viktima është goditur shumë nga të gjithë bashkë brenda në lokal në mënyrën më çnjerëzore e poshtëruese duke i dëmtuar dhe organet gjenitale. Ata nuk donin vetëm lekë për birrat e radhës por çdo lekë të xhiros së punës së Eglantinit që kishte një lokal të vogël pak metra më larg. Eglantini ka kundërshtuar dhe ata e masakruan”.
Juristët penalistë thonë se kleçka e policisë, prokurores dhe gjyqtares është neni 109-B i Kodit Penal, nëse ka shtrëngim për dhënie pasurie dhe viktima vdes, autorët shkojnë për ‘burgim të përjetshëm’, ndaj më e rëndë në vendimin e prokurores Vasjana Postol është ruajtja e tre dhunuesve të tjerë që “s’kanë pare asgjë” brenda një lokali me tre katër tavolina se sa ndryshimi i akuzës që referoi policia “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”.
Policia e Pogradecit dhe Prokuroria bashkë me Gjykatën e Korçës kanë ruajtur të katër vrasësit që mos lidhen bashkë në krim dhe ky është KRIMI më i madh, megjithëse të gjitha dëshmitë e pashkruara e të pahetuara flasin se, shkelmat, grushtat, goditjet ndaj Eglantin Progës si torturë e pamëshirshme kolektive ndaj një të pambrojturi të zënë në çarkun “Stropcka” i kanë bërë të katër bashkë, tre ‘ustallarët’: 47 vjeçari Leonidha Guçe alias Klodi, 55 vjeçari Arian Manellari (shofer i Klodit), 40 vjeçari Voltan Shulku (pronari i lokalit) dhe çiraku i tyre i droguar, 29-vjeçari Denis Meçe.
Eglantin Progën pasi e masakruan e hodhën si qen në rrugë dhe akoma aty ka mbetur. Debati politik, juridik, policor, mediatik nuk e kanë levizur kufomën e Eglantinit nga rruga veç sa e kanë dhunuar më shumë.
Vrasja e Eglantinit ka zhveshur lakuriq Prokurorinë e Korçës, që prej disa ditësh ka mbetur pa zot, pasi prokurorja e rrethit Dhorina Theodhori po pushon në Egjipt.
Vasjana Postol është kërkuar të përjashtohet nga familjarët e viktimës, por në prokurorinë e skandalit “Proga” nuk ka kush të vendosë. Ndërkohë, akuza për “vrasje nga pakujdesia” është ende në fuqi.
Kjo akuzë fajëson më shumë se autorët e vrasjes së Eglantinit, ata që kanë krijuar këtë sistem drejtësie që prodhon prokurorë dhe gjyqtarë që krijojnë kufoma të pakallura nëpër rrugë, si kjo e Pogradecit.
A janë të paaftë apo të korruptuar kjo është pyetja?