Edhe pse goditjet e SPAK-ut nuk kanë qenë të pakta, Shqipëria mbetet një oaz i pastrimit të parave.
SPAK ka identifikuar forma të reja për pastrimin e parave të pista, produkt i aktiviteteve kriminale, në pasuri të paluajtshme, biznese, kulla dhe resorte.
Në një raport të publikuar disa muaj më parë, SPAK thotë se grupet kriminale në Britaninë e Madhe, Amerikën e Jugut dhe BE pastrojnë paratë në Tiranë dhe bregdet, duke nxjerrë në skenë njerëz të afërt dhe të besueshëm.
"Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Këto grupe janë poli-kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe. Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm. Grupet kriminale shqiptare janë kryesisht poli-kriminale, ku përfshihen kryesisht trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj. Dhuna, e cila është një veçori në zbehje mbetet një karakteristikë tjetër e grupeve kriminale shqiptare", thuhet në raport.
Edhe pse goditjet e SPAK-ut nuk kanë qenë të pakta, Shqipëria mbetet një oaz i pastrimit të parave.
Personazhe pa të ardhura të ligjshme dhe me kompani vetëm në letra investojnë miliona euro në biznese dhe ndërtim.
Sot po sjellim në vëmendje të publikut një tjetër rast tejet të dyshimtë.
Në një nga plazhet më të lakmuara të Ksamilit, përballë ‘Tre Ishujve’ që Babloku i ka piketuar për një oligark, është ngritur një restorant dhe bar luksoz, i quajtur ‘Principotes & Tulum Resto Lounge’, duke shfrytëzuar edhe pjesën e plazhit.
Duke mos u ndalur tek mënyra se si është marrë për shfrytëzim plazhi, imvestimi është disa milionë euro.
Pronare në letra i Principotes në Ksamil rezulton një zonjë në pension nga Kukësi.
Kjo e fundit ka themeluar në vitin 2022 kompaninë Tortuga Bye, me kapital 100 mijë lekë, duke i ndryshuar më pas emrin në ‘Principotes’.
Një burim pranë BKH-së tha se zonja është pronare fiktive e Principotes dhe se pas këtij biznesi qëndron një grup i fuqishëm kriminal, i cili vepron në Londër, BE dhe Tiranë, me aktivitet shtëpia bari, trafik droge, dhënie parash me fajde, akte dhune, pastrim parash, transferim parash të zeza, zaptim pasurish publike, shantazh, shtrëngim për marrje pasurie etj