Janë zbardhur emrat e biznesmenëve të ndërtimit nga Fushë-Kruja, për të cilët Prokuroria e Durrësit lëshoi urdhër-arreste, pasi akuzohen se nëpërmjet një skeme mashtrimi me TVSH, i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerën mbi 127 milion lekë të reja.
Mësohet se Gjykata ka firmosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 biznesmenët: Indrit Visha, 35-vjeç, lindur në Gjirokaster dhe banues në Sherek, Nikël të Fushë-Krujës; Indrit Allamani, 48-vjeç; Redion Sefa, 22-vjeç, lindur dhe banues në Qerekë të Fushë Krujës; si dhe Lovjano Topi, 19-vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Qerekë të Niklës në Fushë Kruje
Po ashtu është caktuar edhe masa e sigurisë “Arrest shtëpie për shtetasen Albana Paja, 36-vjeçe, banuese në Krujë, si dhe “Detyrim paraqitje” ndaj shtetasve Brikena Çela, 34-vjeçe, banuese ne Fushë Kruje dhe Aldo Myftari 34 vjeç.
Burime bëjnë me dije se masat e sigurisë janë ekzekutuar vetëm për shtetasit: Indrit Allamani, Albana Paja, Brikena Çela,dhe Aldo Myftari, ndërsa shtetasit Indrit Visha, Redion Sefa, dhe Lovjano Topi janë shpallur në kërkim.
Sipas organit të akuzës, 4 biznesmenët e ndërtimit me “arrest me burg”, të cilët drejtojnë biznese në Fushë Krujë, akuzohen se nëpërmjet një skeme mashtrimi me TVSH i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerën mbi 127 milion lekë të reja, ku përfshiheshin të paktën gjashtë subjekte që operonin në fushën e ndërtimit.“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka verifikuar shitjet e subjektit “R S”, i cili ka vetëdeklaruar në vlerë total shitjeje prej 286,301,702 lekësh për periudhën Dhjetor 2023 dhe subjektit “L”, që ka vetëdeklaruar një total shitje 162,302,300 lekë gjatë Dhjetorit të vitit 2023. Në total, këto subjekte kanë kryer shitje që përllogaritet në 448,604,002 lekë, vlera për të cilat Prokuroria dyshon të jenë fiktive dhe janë faturuar te subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit “3D C” dhe I.V FP.
Administrata tatimore ka kryer verifikimin e faturave të deklaruara, shitjet totale, historikun e punësimit të shoqërive të ndërtimit dhe marrëdhëniet me bizneset e tjera. Nga analizimi i të dhënave të deklaruara si shitjet totale për çdo subjekt, është kryer llogaritja e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe Tatimi Fitimi për çdo subjekti, dhe ka rezultuar në total një dëm i shkaktuar ndaj shtetit në vlerën 127,551,874 lekë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.
Gjithashtu, bëhet me dije se grupet hetimore kanë kryer dhe verifikimet e pajisjeve dhe automjeteve që zotëronin shoqëritë e ndërtimit nga ku ka rezultuar se subjekti “3D C” kishte në pronësi vetëm automjete luksoze, Mercedes benz AMG 63, Mercedes benz AMG GT 43, PorscheCayenne, Land Rover apo BMW X5. Asnjë prej këtyre automjeteve nuk përdoret për aktivitetin e ndërtimit.