Abuzim i shumëfishtë i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në tenderin për riparimin e kompleksit sportiv “Dajti”. Në shtator të këtij viti denoncoi tenderin me objekt “Rehabilitimi i ambienteve tek kompleksi “Dajti””, për të cilin janë vënë në dispozicion 380 milionë lekë. Fjala është për fushat prapa Universitetit të Sporteve.
Ky tender iu dha pa garë kompanive “Pepa Group” sh.p.k & “Active” sh.p.k. që kishin paraqitur ofertën më të shtrenjtë, me vlerë 330 milionë lekë (pa TVSH). Firma “Active” sh.p.k është në pronësi të Edmir Durakut, i cili është djali i ish-deputetit të PS, Shyqyri Duraku, të cilët kanë në pronësi edhe firmën “Vila Duraku”.
Ata po përfitojnë fonde publike pa limit, sidomos pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kur Gerta Duraku, vajza e familjes, u zgjodh deputete nga listat e PS-së. Pra, i ati me lidhjet e vjetra që ka, po i mbërthen fort tentakulat në buxhetin e shtetit që t’u sigurojë të mirat e pushtetit edhe fëmijëve të tij.
Tenderi iu dha Durakut dhuratë në tavolinë në kushtet e eliminimit të plotë të konkurrencës. Theksojmë se në tender merrnin pjesë 13 kompani që u skualifikuan të gjitha përveç Durakut.
Për këto shkelje ka reaguar edhe Open Data Albania që e ka vlerësuar tenderin me |”Flamur të kuq” për shkak të riskut nga korrupsioni i zyrtarëve.
Por Veliaj nuk pyet për ligjin dhe vazhdoi i qetë aferën e tij.
Kompleksi u është dhënë pronarëve të tokës?
Por, këtë herë tenderi është denoncuar në KPP nga një tjetër subjekt. Veliaj, ashtu siç sillet rëndomë me pronarët e trojeve në kryeqytet, nuk i ka llogaritur faturat e shpronësimeve. Më datë 7 shtator 2023, pranë KPP është depozituar ankesa nga përfaqësuesja ligjore e pronarëve të truallit të kompleksit Dajti, Evelina Qirjako.
Në fakt, ankesa e saj është për pronën. Avokatja pretendon se nuk është bërë shpronësimi dhe kompensimi i 13 ish-pronarëve të kësaj toke që e kanë fituar të drejtën nga Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Nga ana tjetër, mësojmë se avokatja nuk ka mundur ta çojë deri në fund këtë ankesë, sepse KPP ia ka thyer disa herë mbrapsht duke thënë që ka të meta në hartimin e shkresës dhe të padisë. Kështu vetëm pas disa zvarritjeve nga të dyja palët, avokatja ka depozituar sërish ankesë më datë 18 shtator 2023.
“Më datë 18.09.2023 pranë Komisionit të Prokurimit Publik është administruar ankesa me nr. 2183/4 prot, datë 18.09.2023, sipas formularit përkatës, nga përfaqësuesi ligjor znj. E. Q i 7 pronarëve O. J; G. B; SH. E; B. K; M. K; B. J; F. J; F. S; I. B; K. J; O. J; ZH. R; M. H, të pasurisë nr. 3/218, zonë kadastrale 8210, vol. 29, faqe. 183 me sipërfaqe 916.5 m2 dhe pasurisë nr. 3/404, zonë kadastrale 8210 me sipërfaqe 3043.5 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, thuhet në dokument.
KPP e ka rrëzuar poshtë ankesën, duke argumentuar se nuk ka të bashkangjitur mandat pagesën. Si dhe duke u justifikuar se nuk ka kompetencave për këtë rast. Në fakt, kur në mes të një afere është Lali Eri, tërhiqen edhe prokurorët e SPAK-ut që e kanë frikë. Kështu ka bërë edhe kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Konaid Myzyri,. Duke deklaruar “moskompetencën” e tij.
Pronarët ka pak gjasa të marrin ndonjë lek, sepse Lali Eri e ka ndarë mendjen që këtë fond të madh t’ia japë djalit të deputetit të PS-së.