Në kryeqytet bëjnë kërdinë mushkonjat, karkalecat dhe insektet e tjera, por Veliaj nuk do t’ia dijë. Ai është i zënë duke menduar se si të largojë mizat dhe mushkonjat nga zyra e tij. Për këtë ai ka firmosur tenderin “special”.
Më datë 30 qershor 2023, Bashkia Tiranë ka njoftuar tenderin me objekt “Blerje preparate për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim”. Për të vrarë insektet nëpër zyra, Veliaj do të marrë nga xhepat e qytetarëve 333 milionë lekë.
Por, edhe kur lufton me insektet Veliaj nuk e harron zakonin e përvetësimit në bashkëpunim me biznesmenët e privilegjuar.
Në kontratë shohim se tri firma janë regjistruar në fillim për të marrë pjesë në garë. Dy prej tyre janë prezantuar në mënyrë fiktive sepse nuk kanë paraqitur asnjë ofertë. Kjo është një mënyrë që përdoret shpesh për ta dërguar tenderin atje ku ishte paracaktuar përmes pazareve.
Edhe në këtë rast ashtu ndodhi. Me ofertën e vetme në garë, firma “Milifar shpk” e Albert Metanit rrëmbeu fondin e caktuar me meritën se është mik i Lali Erit. Vlen të përmendim se oferta e Metanit kap vlerat 320 milionë lekë, ndërsa fondi limit është në vlera 333 milionë lekë. Pra një ofertë e shtrenjtë dhe me risk.
Ndërkohë, Veliaj nuk e anulon, sepse ka vazhdimësi kontratash me Metanin këto projekte. Kujtojmë se edhe në vitin që shkoi, Lali Eri “i vrau” insektet me kompaninë “Milifar shpk”. Shohim në dokumentin më poshtë që edhe atë projekt Metani e ka përfituar pa garë, sepse ai mund të jetë i vetmi në planet që “vret” mizat.
Ndërkohë evidentojmë që gjatë këtij viti është rritur fondi i luftës kundër mizave, sepse në 2022 për dezinfektimin, Milifar mori 230 milionë lekë. Ndërsa këtë vit ai ka kërkuar 100 milionë lekë më shumë. Dhe Veliaj nuk ia ka prishur qejfin! Epo është rritur kostoja e aferave për shkak të riskut të hetimeve nga SPAK-u.