Qysh kur drejtimin e ALBCONTROL e mori Laureta Omeri, e vetmja gjë që po “kontrollohet” janë fondet që drejtoresha po i dërgon në xhepat e miqve të saj. Këtë herë Omeri ka vendosur të shpenzojë 430 milionë lekë në tenderin me objekt “Zëvendësim i Infrastrukturës Hardware për shërbimet IT”.
Parashikohen të vendosen disa servera dhe të hiqen ato aktualet, por nuk jepet asnjë shpjegim specifik si është llogaritur fondi limit, mbi cilat çmime bazohet.
Gjithashtu bie në sy një pikë në dokumentet e tenderit, ku thuhet se do të ketë trajnime.
“Në përfundim të të gjithë implementimit te projektit (instalimeve dhe konfigurimeve të nevojshme të infrastrukturës hostuese dhe kalimit të shërbimit Exhange në infrastrukturën e re) kërkohet që të kryhet transferimi i njohurive teknike stafit IT të institucionit. Transferimi i njohurive do të zhvillohet në ambientet e institucionit, në zyrat qendrore, sipas dakordësimit midis ndjekësve të kontratës”, thuhet në dokument.
Nuk i mjaftuan tërë ato qindra mijëra euro të harxhuara për trajnime për t’u mësuar anglishten operatorëve që bëri vitin e shkuar, por Omeri parashikon “trajnime” edhe në këtë tender. Asnjë lloj trajnimi nuk duhet, sepse mirëmbajtja do të jetë detyrë e kompanisë fituese, ndërsa përdorimi i një “office” të ri është një gjë që e bëjnë edhe fëmijët.
Në fakt, i gjithë tenderi, gati gjysmë miliard lekë, është abuzim me buxhetin, pasi ky investim, sipas specialistëve IT të konsultuar nga, kushton gati 10 herë më lirë.
‘Marrëveshja” me Gigor Jotin
Në dokumente tregohet se kanë paraqitur oferta 3 kompani për këtë tender, por Omeri ka zgjedhur të shpall fitues “Infosoft Systems” sh.p.k., në pronësi të Grigor Jotit. Mjafton vetëm oferta e tij që është sa 89 % e fondit limit, për të anuluar këtë tender.
Tenderi është fasadë dhe këtë e shohim qysh tek pjesëmarrja. Kështu, “Advanced Business Solutions – ABS” sh.p.k ka marrë pjesë në mënyrë fiktive dhe nuk ka paraqitur ofertë. Pronari i saj është Gerond Meçe, përfitues i madh i tenderëve të teknologjisë informatike. Konkurrentja tjetër, “Fastech” sh.p.k ka bërë ofertë të shumë të përafërt (ose në marrëveshje) me kompaninë e Grigor Jotit. Kjo kompani është e mbështetur nga ish-ministri i Ilir Beqja i njohur për çështjet e korrupsionit në qeveri dhe i hetuar nga SPAK.
“Infosoft” ofroi ta bënte këtë punë me 40 365 416 lekë, ndërsa “Fastech” me 41 640 821 lekë.
Por, tashmë nuk çuditemi më me aferat e Grigor Jotit. Pavarësisht denoncimeve në media, raporteve të KLSH, aferave të dala sheshit, Grigor Joti vazhdon të rrëmbejë tendera nga shumë institucione.
Me Laureta Omerin duket se kanë një marrëveshje paraprake, sepse drejtoresha i jep Grigor Jotit çdo tender. Vetëm me “Infosoft” në 3 vitet e fundit, Joti ka përfituar mbi 77 miliardë lekë tenderë, kur rreth 90% e tyre janë marrë duke u favorizuar në shkelje të ligjit.
Këto tenderë janë vlerësuar nga Open Data më “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
ALBCONTROL është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, pronë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ky institucion menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore Shqiptare (FIR), në përputhje me standardet ndërkombëtare të lundrimit ajror. Institucioni që dikur realizonte fitime për buxhetin e shtetit, sot është shoqëria shtetërore me borxhin më të madh. Trashëgimia e keqe e këtij menaxhimi nisi në 2015-n, kur mori postin e drejtoreshës së ‘Albcontrol sha’ , ose siç njihej më herët, Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA), e mori Belinda Balluku. Ajo që më pas do të bëhej drejtoreshë e Aviacionit dhe Ministre, u akuzua për krijimin e borxhit prej 94 milionë euro.