
Mos u habisni nga videot, ajo nuk është pamje e cila krijon habi.
Sjelle të tilla nuk janë një shfaje e menjëhershme e një emocioni, ato janë vijimësi e një degradimi të përditshmëm e krejt pa fre.
Pamja e ndyrë, e paligjshme, e patolerueshme por absolutisht edhe e pamoralshme nuk është sporadike, ajo është një normë sjellje e njerëzve që shkëmbejnë gjithçka për të pasur pushtet, është një normë e një pushteti që s’ka mekanizëm kontrolli, është një sjellje që herë pas here shfaqet me subjekte dhe aktorë të ndyshëm me qëllim që masat të reflektojnë.
Po ju sjell në vëmendje vetëm disa: ish-ministri Ylli Pango, ish-kryetari i bashkisë Dibër Shukri Xhelili, ish-drejtori i
Informacionit të Televizionit Kombëtar TCH, gazetarja e Televizionit Publik Shtetëror, Gjytari i Fierit, Gjyqtari i Pukës…etj etj… do ishte lista shumë e gjatë, por përmendja e të gjitha rasteve nuk e ndryshon kontekstin dhe vlerën e mesazhit.
Pas të gjitha ngjarjeve të tilla shoqëria nuk ka reaguar, nuk ka marrë masa por, ajo vetëm është kujdesur që raste të tilla të mos jenë kaq të shpeshta, është kujdesur që këto raste të mos bëhen publike dhe të mbahen në rreth të ngushtë.
Të gjitha keto ngjarje do të mjaftonin që shoqëria të krijonte norma sjellje të forta shoqërore dhe kolektive që të mos ndodhnin, që të parandaloheshin, por jo, ato vijojnë të ndodhin sepse shoqëria jonë mbështet të fortin, mbështet atë që e bën një vepër të tillë, sepse ai konsiderohet “modeli”.
Kjo është vetëm kështu dhe s’mund të jetë ndryshe pasi nëse do kishim indikator që mund të ishte ndryshe shoqeria sapo e kaloi mundësinë që kishte për ta ndaluar më 14 Maj 2023.
Shoqëria zgjodhi modelin e pushtetit, zgjodhi normën e të fortit, zgjodhi rrugën e arrogancës dhe të politikanëve të prishur. Është pothuajse absolute në kushtet e sotme që delegimi i një pushteti të pakufizuar sjell degradimin.
Degradimi i pushtetit është procesi gradual, ku autoriteti i të mirës, ndikimi dhe fuqia e një popullit mënjanohet, reputacioni i institucionit zvogëlohet dhe humbin rëndësinë dhe autoritetin që kanë pasur më parë. Por rritet fuqia e individit që e ushtron pushtetin, rritet potenciali i forcës së pushtetit në duart e pushtetarit sepse ai nuk ka element kontrolli, sistemi i shërben atij dhe jo të mirës publike.
Ky proces degradimi mund të ndodhë në shumë nivele dhe kontekste por, populli ynë është ulur dhe po pret se deri në ç’pikë do shkojë.
Mos u habisni pra, se nuk i ka ardhur akoma fundi dhe ju mund të duroni akoma më shumë, e keni treguar se jeni popull bujar që toleroni dhe kënaqeni me vjedhjen, me përdhosjen, me fyerjen, me arrogancën, me përçudnimin, me përdhunimin, me të keqen që ju bëhet çdo ditë.
Ditën që degradimi i pushtetit do t’ju bëjë përshtypje, ajo do të jetë dita e një fillimi të ri e cila nuk mund të jetë ndyshe vetëm se dalja në sheshe, rrugë, rrugica e hapësira për të shporrur pushtetin e degraduar.