Tre gjurmë gishtërinjsh dhe një profil ADN-je janë gjetur në makinën tip “BMW X6” që u lokalizua e braktisur në Elbasan, por e mbushur me armë zjarri. Mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka çuar për ekspertim në laboratorin e policisë shkencore gjurmët e gjetura dhe materialin e ADN-së. pas ekspertizës, pritet të dilet me emrat që u përkasin këto të dhëna.
Deri më tani pas hekurave ndodhen dy persona, Arsen Preçi dhe Arben Spahiu, të cilët dyshohet se janë personat që e kishin përgatitur makinën në fjalë, me armë e bidona me benzinë, për të kryer një atentat ndaj Elton Kilës, personit të njohur si Oti.
Makina ‘BMW X6’ u gjet në lagjen ku banon Erion Alibej, i cili ndodhet pas hekurave pasi akuzohet se ka porositur një sërë vrasjesh. Fillimisht u aludua se mjeti ishte lënë nga armiqtë e tij, por hetimet sollën të tjera zhvillime.
Njëri nga dy të arrestuarit, Arsen Preçi kishte hedhur në koshin e mbeturinave çantën e supit brenda të cilës janë gjetur pistoleta dhe dy mjete identifikuese që kanë çuar policinë drejt zbulimit të autorëve. Po ashtu në çantë janë gjetur edhe maska dhe doreza që do të përdoreshin prej tyre për të humbur gjurmë pas krimit.
Të dy kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Ky është atentati i katërt që është planifikuar për eliminimin e Kilës që dështon. Shkak për eliminimin e tij mendohet të jetë një hakmarrje e lidhur me kunatin e Alibejt, Arben Spahiu. Ai është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë dhe i Rigers Spahiut, i arrestuar në tetor të 2022 pasi u kap me një arsenal armësh.