top of page

Manja: Reforma në drejtësi në konsolidim, qytetarët të gjejnë drejtësi nëpër gjykata


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha në fjalën e tij në Kuvend se ka vënë re një përgjegjshmëri të parlamentit në raport me organet e reja të drejtësisë, në një seancë kur drejtuesit e këtyre të fundit po paraqesin raportin e punës për vitin 2022.


“7 vjet pas miratimit të paketës kushtetuese dhe ligjore të reformës në drejtësi dhe 5 vjet nga momenti i ngritjes dhe bërjes funksionale të organeve të reja të drejtësisë, disa gjëra dihen, janë thënë e stërthënë në çdo medium kombëtar dhe ndërkombëtar për reformën në drejtësi,” – u shpreh Manja.


Ministri deklaroi se është Partia Socialiste ajo që ka hedhur themelet e reformës në drejtësi dhe se vazhdimisht janë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me gjithë aleatët.


Sipas tij qëllimi i reformës në drejtësi ka qenë dhe vazhdon të mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve. Tashmë është certifikuar dhe se vetingu ka qenë “ilaçi” i duhur për të pastruar sistemin. Qeveria ka dhënë mbështetje buxhetore dhe infrastrukturore të pakursyer, shtoi ai, por sidoqoftë për 5 vjet s’mund të themi që gjithçka shkon vaj.


“Tashmë radha u takon organeve të reja të drejtësisë që të kujdesen që çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë kur të shkojë në dyert e gjykatës dhe të prokurorisë të gjejë drejtësi dhe jo padrejtësi. Në këtë fazë reforma është në konsolidim,” – u shpreh Manja.



Comments


bottom of page