Nga Alma Lleshi
Shumë pak ditë nga testimet e Maturës Shtetërore, praktikat që po përdorin zyrat e zymta, nuk ta bëjnë asgjë të lehtë, dhe nuk ka sesi të mos bërtasësh: Mos guxoni të dështoni sërish!
Sepse 24 orë në 24, të gjithë duan dhe përpiqen të flasin për të mësuarit si koncept dhe intelekt, abstrakt dhe konkret, krijues dhe shpirtëror. Pasi sigurisht, bëhet fjalë për një jetë. Bëhet fjalë për përmbajtje, zemër, mendje, për të shkuarën dhe të ardhmen. Sepse vërtet, mësimdhënia dhe të mësuarit janë shkak por dhe pasojë.
Disa muaj më parë, ministrja e Arsimit, Evis
Kushi deklaroi se këtë vit, për provimet e maturës shtetërore është menduar të zgjidhen salla të mëdha, hapësira të mëdha ku të vendosen një numër më i madh maturantësh dhe një numër më i madh mësuesish, monitoruesish, administruesish. Në radhë të parë, kjo nuk është një metodë e njohur, dhe sigurisht nuk është aspak një risi.
Prej disa ditësh jam në kërkim të ndonjë gjetjeje të tillë të eksperimentuar në botë, por të vetmet situata me maturantë në hapësira të hapura, ishin momentet e diplomimit të maturantëve nëpër botë.
Për sa i përket vlerësimit në Australi dhe Kanada, ka patur disa përvoja për praktikimin e testimit në ambiente të hapura, por të gjitha këto praktika janë eksperimentuar në Universitete.
Fokusi i shumë mësuesve ka qenë të rrisë dobinë e çdo aktiviteti akademik, por gjithmonë nëse këto aktivitete shkaktojnë nivele të ulëta ankthi tek nxënësit pjesëmarrës.
Por për maturantët, testimi në ambiente të hapura është një rrezik i mundshëm për vetë ata. Duke pasur parasysh që këto janë provime tepër të rëndësishme, që kërkojnë përqëndrim maksimal, të cilin një ambient i hapur nuk e ofron aspak, ku asnjë zhurmë dhe shpërqëndrim nuk mund të tolerohet, ku çdo maturant kërkon të ndihet sa më konfident dhe i qetë. Të gjitha këto, më bëjnë të mendoj se, edhe këtë herë, si përherë, matura do të dështojë. Dhe dhimbja nga dështimi do të mbetet për shumë kohë.
Eksperimente të testimit në ambiente të hapura janë kryer vetëm në Universitete. Një përvojë negative ka rezultuar në Universitetin Edith Cowan në Australinë Perëndimore. Universiteti ka më shumë se 20 mijë studentë që ndjekin studimet në mbi 160 kurse në të dy nivelet universitare dhe pasuniversitare. Studentët pjesëmarrës në studim u vendosën në kampusin kryesor të Universitetit, në korridorin verior të Perthit.
Studentët e testit po përfundonin një njësi hyrëse të Anatomisë dhe Fiziologjisë. Në fund të testimit, studentët u vlerësuan negativisht, krahasuar me një testim të shkuar në një ambjent të mbyllur , 6 javë më parë.
E pra, zyrtarë të zymtë, eskperimentet e pavlera, vetëm pak kohë para provimeve të maturës, janë vetëm një mjet tërësisht çoroditës për “viktimat” e vërteta, nxënësit!
Puna juaj nuk është të bëni rregullore duke shkelmuar dhe duke bërtitur për një ndryshim të ri. Detyra juaj është thjesht të bëni punën tuaj për të mirën parësore, që është ajo e nxënësve. Dhe këtë ta bëni në mënyrë të shenjtë dhe në heshtje!