top of page

Mbi 30 emra në skaner për pronat, kush janë politikanët që po heton SPAK për fshehje pasurie?

Prokuroria e Posaçme ka futur në skaner pasurinë e një numri të konsiderueshme politikanësh. Teksa ILDKP fle gjumë dhe ka ulur ndjeshëm denoncimet për fshehje pasurore, SPAK në kuadër të hetimeve që ka nisur për deputetë, ministra, ish-ministra apo kryetarë bashkish, ka kërkuar ndihmën e ILDKP dhe të Kadastrës për të verifikuar deklarimet pasurore të tyre.në Parlament kemi me dhjetëra deputetë, po ashtu ka ministra, zv/ministra, Sekretarë të Përgjithshëm apo krerë bashkish që kanë pasuri të jashtëzakonshme. Madje ka dhe nga ata që kanë me dhjetëra apartamente e prona me vlerë miliona euro. Por duket se të gjithëve po u vjen radha pak nga pak. Sipas të dhënave zyrtare, SPAK ka kërkuar në ILDKP deri në fund të vitit që shkoi, deklarimet pasurore për 23 emra. Por mësohet se ky numër është rritur ndjeshëm kohët e fundit duke kaluar mbi 30.Në vijim të përmbushjes së angazhimeve të ndërsjella që burojnë nga zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka vijuar shkëmbimi i të dhënave dhe informacioneve të ndërsjella me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në çështjet e shkeljeve të kuadrit ligjor në fushën e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive, si dhe për veprat e mundshme penale që lidhen me korrupsionin. Gjithashtu, në vijim të mbështetjes së strukturave të SPAK mbi hetimet e nisura për zyrtarë të cilët janë subjekte të deklarimit të interesave privatë, ka vendosur në dispozicion, për 23 raste, të gjithë informacionin e nevojshëm të administruar pranë Inspektoratit të Lartë për këta subjekte”, thuhet në raportin vjetor të ILDKP për vitin që lamë pas.

Por kush janë politikanët që po heton SPAK edhe në aspektin pasuror? Sipas informacioneve i pari në sitë është ish-presidenti Ilir Meta bashkë me Monika Kryemadhin. Po ashtu mësohet se SPAK ka marrë nga ILDKP të dhënat pasurore të ish-kryeministrit Sali Berisha. Një tjetër emër është Ilir Beqaj, ish-ministër Shëndetësie, aktualisht në qeli. Po ashtu në listë është ish-ministrja Olta Xhaçka.Në skaner janë dhe 3 deputetë të PD: Flamur Noka, Luan Baçi dhe Asllan Dogjani. Ky i fundit pak ditë më parë u mor në pyetje nga prokurorët dhe refuzoi të japë detaje, mirëpo mësohet se është thirrur mbi hetimet që kanë nisur ndaj tij, pasi ka dyshime se ka fshehur pasurinë, duke mos e deklaruar atë saktë në deklarimin vjetor në ILDKP. Sipas informacioneve, SPAK ka dërguar shkresa në disa institucione, si Kadastra, ILDKP, etj, teksa pjesë e dosjes është bërë dhe dëshmia e deputetit.

Më herët ka shkuar në SPAK, Luan Baçi. Atë e ka çuar në SPAK shtetasi Aredin Behari. Në këtë kallëzim, shtetasi Behari pretendon se deputeti Baçi ka fshehur një pasuri prej gati 800 mijë euro nëpërmjet makinacioneve me një investim me njeriun e tij të afërt. Shtetasi Behari nëpërmjet provave tregon se si në periudhën 2010-2011 deputeti Luan Baçi, nëpërmjet bashkëshortes së tij, bën një investim në vlerën e 783 mijë eurove cash në një kompleks turistik në Vlorë. Shtetasi Behari pretendon se deputeti Baçi nuk e deklaroi në ILDKP këtë investim, pasi i druhet një hetimi pasuror nga ana e SPAK.

Emër tjetër është Flamur Noka. SPAK ka nisur hetim pasuror për deputetin dhe familjen e tij. Në objektin e hetimit përfshihen hetimi dhe verifikimi i të gjithë transaksioneve financiare në emër të tij, bashkëshortes dhe dy fëmijëve.

Në skaner janë dhe disa kryetarë dhe ish-kryetarë bashkie. Pra SPAK duket se ka kuptuar hilen. Mjafton të shohësh deklarimet në ILDKP të pushtetarëve dhe e kupton se kush është i korruptuar.

bottom of page