top of page

Mentor Kikia: Një vend, ku të gjithë dukemi nga pak të çmendur


Po komunikoja me një kolege, që sapo u kthye nga një udhëtim pune në disa vende të perëndimit.


“U lodha, por më pushoi truri” – më tha.

Si, edhe u lodha edhe më pushoi truri?

Aha, e kuptova!


Ndërsa unë po vija në punë, në semafor dëgjoj një bori nga pas që më kërkonte të ecja. Ku të shkoja, semafori i kuq numëronte 5…pastaj tek 2-shi dëgjoj një të pëllitur: Po ec o pallë…


Në vende të tjera, kur hipën e zbret nëpër trena, nëpër shkallët e metrove, në rrugët e ngarkuara me njerëz… etj, fjala që të “bezdis” më shumë është “sorry”. Të kërkon ndjesë edhe nëse te prek canta që dikush mban, madje edhe nëse dikush kalon shumë afër teje, sërish thotë “sorry”.


Këtu shikon vetëm njerëz nervozë, njerëz të stresuar, që grinden, bërtasin. Pa edukatë, ta gatshëm të vriten edhe për gërvishtjen e makinës, për vendin e parkimit. Futesh në kafene, duhen tapa për veshët, muzika në qiell. Zhurmë kudo…


Çfarë nuk shkon në këtë vend?

Kështu jemi ne, popull i zhurmshëm, apo nuk dimë të ndërtojmë mjedise normale për të punuar e jetuar si njerëz?


Apo, problemet na kanë bërë të stresuar të gjithëve si shoqëri?


P.S: Nëpër farmaci, pas ilaçeve për dhimbjen e kokës, qetësuesit nervorë janë më të shiturit pa recetën mjeku. Nuk është pa gjë ky fakt.

bottom of page