Qeveria do t’u marrë 28.5 milionë euro taksa gjatë vitit të ardhshëm të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime. Shifra është bërë publike nga ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit 2024.
“Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” i miratuar në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ka parashikuar futjen në skemën e taksimit nga 1 janari i vitit 2024 të subjekteve që furnizojnë shërbime profesionale. Të ardhurat e programuara në buxhet nga kjo kategori janë parashikuar në rreth 3 miliardë lekë,” thuhet në relacion.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjithë të vetë-punësuarit që furnizojnë shërbime dhe kanë një nivel të ardhurash neto 14 milionë lekë në vit do të paguajnë tatim në masën 15. Nëse të ardhurat janë mbi 14 milionë lekë në vit, atëherë tatimi shkon në 23 për qind.
Ligji i miratuar në mars të vitit të kaluar, por që hyn në fuqi në 1 janar 2024, e trajton kategorinë e bizneseve të vogla që ofrojnë shërbime ndryshe nga bizneset e tjera, për të cilat taksa mbetet zero. Në ligj, i është lënë detyrë qeverisë që të nxjerrë listën analitike të bizneseve që do të kategorizohen si profesione të lira dhe që preken nga taksa, por deri më tani Këshilli i Ministrave ende nuk e ka bërë publike atë.
Sipas të dhënave nga ministria e Financave nga kjo taksë pritet të preken mbi 8 mijë biznese të vogla ose individë të vetëpunësuar. Vendosja e profesioneve të lirë në këtë regjim të ashpër taksimi është kundërshtuar fuqishëm nga ekspertët, pasi sipas tyre kjo masë krijon pabarazi fiskale dhe do të dëmtojë sektorin e profesionistëve të lirë.