Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas hetimit të kryer në kuadër të procedimit penal kundër zyrtarëve publik ka vendosur masën e arrestit me burg për oficerin e Policisë Gjyqësore në Tiranë, Fatbardh Lala.
Ai akuzohet se mori ryshfet për ndikimin tek prokurori dhe gjyqtarët për vendimin ndaj një të arrestuari. Po kështu OPGJ Lala sipas hetimeve të SPAK ka zbuluar sekrete nga një dosje hetimore për të lehtësuar masën e sigurisë të një personi kundrejt një shume të caktuar monetare.
SPAK ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj personave nën hetim E. Ll. dhe T. Ll., janë ekzekutuar më datë 29.06.2023, ndërkohë personi nën hetim Fatbardh Lala, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton të jetë larguar jashtë vendit, dhe për rrjedhojë ekzekutimi i masës së sigurimit arrest në burg nuk është ekzekutuar.
NJOFTIMI I SPAKProkuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.180 datë 19.10.2022, për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, dhe 25 paragrafi 2 i Kodit Penal në ngarkim të personave nën hetim T. Ll. dhe E. Ll., dhe 245/1, paragrafi 4 të Kodit Penal, për personin nën hetim F. L.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 28.06.2023 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit F. L., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 4 dhe 295/a të Kodit Penal.