top of page

Mrekulli në Turqi, nxirret e gjallë 17-vjeçarja pas 10 ditësh nën rrënoja

Një vajzë adoleshente është shpëtuar 248 orë pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar në Turqi.

17-vjeçarja, Aleyna Olmez u nxor nga rrënojat në Kahramanmaraş, një qytet jugor pranë epiqendrës.

Xhaxhai i saj i përlotur u tha shpëtimtarëve “nuk do t’ju harrojmë kurrë”, ndërsa i përqafoi një nga një.

Aleyna mbijetoi, e plagosur dhe në kushte të motit të ftohtë, për 10 ditë. Por shpëtimet si ajo po bëhen gjithnjë e më të rralla.

Më shumë se 41,000 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri nga tërmeti me magnitudë 7.8 ballë. Asnjë vend nuk ka treguar se sa njerëz janë ende të zhdukur.

Aleyna u shpëtua nga rrënojat e një blloku apartamentesh të rrafshuar, raportoi transmetuesi turk TRT Haber.

“Ajo dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo hapi dhe mbylli sytë,” tha për agjencinë e lajmeve AFP Ali Akdogan, një minator qymyri që mori pjesë në shpëtim.

“Kemi një javë që punojmë këtu në këtë ndërtesë… jemi të lumtur sa herë që gjejmë një gjë të gjallë – qoftë edhe një mace”, shtoi ai.

Por festimet nuk zgjatën shumë. Menjëherë pas shpëtimit, ushtarët turq urdhëruan njerëzit të largoheshin nga vendi i ngjarjes, pasi ekipet po gjenin kufoma që do të transportoheshin së shpejti.

Në të njëjtin qytet, tre gra dhe dy fëmijë u gjetën të gjallë të mërkurën.

bottom of page