top of page

Në 5 vite pagesat për 4 koncesione të shëndetësisë marrin 18 mld lekë


Shëndetësia falas në Shqipëri nuk ekziston, edhe pse për rreth një dekadë është propaganduar pafund. Mjafton të shohësh pagesat për kontratat koncesionare të shëndetësisë për të kuptuar se çdo ditë kompanitë private marrin miliona nga taksat tona. Katër koncesionet e shëndetësisë që të gjitha janë me afat 10 vjeçar kanë kosto totale vlerën prej 45.5 miliardë lekë, ku një pjesë e mirë e saj tanimë është paguar.



Deri më tani kontrata më e kushtueshme për qytetarët mbetet ajo e vitit 2015.

Dhe që përfundon në vitin e ardhshëm që ka të bëjë me sterilizimin (Ofrimi i shërbimeve të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale).


Abuzimet me këtë kontratë kanë nisur që nga mos zbatimi i fondit limit të përcaktuar në 2015 që ishte 9.6 miliardë lekë, ndërkohë që kostoja reale pas hyrjes së fuqi të koncesionit është 12.3 miliardë lekë.


Ndërkohë buxheti i shtetit ka paguar për këtë kontratë nga viti 2018-2022 më shumë se 8.3 miliardë lekë, ndërkohë është parashikuar që për këtë vit pagesa për këtë kontratë të jetë në vlerën 1.790 miliardë lekë. Më tej në 2024 pagesa do të jetë 1.770 miliardë lekë dhe në vitin 2025 fondet do të rriten përsëri në vlerën 1.790 miliardë lekë.


Kontrata e dytë më e kushtueshme deri më tani, bazuar në pagesat që ka marrë nga buxheti i shtetit është ajo e hemodializës që ofrohet pranë spitaleve rajonale Shkodër, Lezhë, Elbasan, Vlorë, Korçë. Deri në përfundim të kontratës qeveria do të paguaj 9.47 miliardë lekë, ndërkohë në 5 vite ka përfituar nga thesari i shtetit mbi 3.8 miliardë lekë.

Më pas është koncesioni “Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 35-70 vjeç”, i njohur si CheckUP, do të marrë nga buxheti i shtetit 7.82 miliardë lekë edhe nëse nuk plotësohet numri i përcaktuar i analizave.

Për periudhën 2018-2022 ka përfituar nga buxheti i shtetit pagesa me vlerë 3.1 miliardë lekë, ndërkohë që për këtë vit fatura është 876,090 milionë lekë, vlerë e njëjtë edhe për vitin 2024-2025.

Për këtë koncesion favorizimet janë të njohura me ligj. “Pёr sa i pёrket detyrimeve kontraktuale, konkretisht aneksit 7 të kontratës koncesionare, “Çështje financiare”, çmimi i pranuar për njësi (pa TVSH) do të jetë në vlerën 1,537 lekë, duke patur parasysh se vlera minimale e pagueshme nga Autoriteti për shërbimet e ofruara nga Koncensionari do të jetë 730,075,000 lekë (pa TVSH) për çdo vit të plotë. Kjo vlerë ngelet e pandryshueshme pavarësisht faktit nëse numri i analizave vjetore arrin shifrën 475,000 apo jo”, thotë Ministria e Financave.

Pra koncesionari edhe nëse nuk ju bën analizat qytetarëve shqiptarë, paratë e parashikuara do ti marrë.

Kontrata e katërt për ofrimin e shërbimeve laboratorike spitalore ka marrë në 5 vitet e fundit 2.7 miliardë lekë. Deri në përfundim të koncesionit shteti do të paguaj 10.7 miliardë lekë.

Kontrata koncesionare të Ministrisë së Shëndetësisë për periudhën kohore 2015-2022 kanë marrë nga buxheti i shtetit mbi 18 miliardë lekë.

KONCESIONET E SHËNDETËSISË PAGESAT 2018-2022

Koncesioni i Check-UP 3,169,599 mijë lekë

Koncesioni i Sterilizimit 8,305,056 mijë lekë

Koncesioni i Hemodializës 3,858,697 mijë lekë

Koncesioni për shërbimet laboratorike 2,708,769 mijë lekë

PAGESAT NË TOTAL 18,042,121 MIJË LEKË


Ministria e Shëndetësisë ka miratuar 4 kontrata koncesionare/PPP që kanë si qëllim ofrimin e një shërbimi sa më cilësor, më të shpejtë dhe efektiv në lidhje me shëndetin e qytetarëve

. Por ky mision për të cilin janë miratuar shpesh është harruar, pasi shumë raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë treguar se nuk është realizuar plani i kontrolleve të parashikuara por paratë u janë kaluar kompanive private. KLSH pati zbuluar se vetëm gjatë dy viteve të pandemisë 2020-2021, se me mijëra kontrolle të check up nuk ishin realizuar por pagesa ishte bërë, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me dializën. Ishim mbi 930 milionë lekë të paguara nga buxheti i shtetit për shërbim të pakryer për koncesionin e kontrollit bazë të popullsisë (chek up).



Për këto fonde të dhëna privatit i cili nuk ka ofruar shërbim, KLSH kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH që të rikuperohen paratë e dhëna për punën e pakryer, por kjo detyrë deri në fund të vitit 2022 nuk u realizua.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shërbimin e munguar të dializës, ku për koncesionarin janë dhënë mbi 350 milionë lekë për kontrolle të pakryera. As këto para nuk ka pasur rikuperim fondesh.

Ndërkohë pak ditë më parë SPAK kreu disa arrestime, mes tyre edhe ish-zëvendësministri Klodian Rjepaj, si dhe u vunë nën hetim ish ministri Ilir Beqaj dhe ish ministri Shkëlqim Cani.

Hetimi për koncesionin e sterizilimit ka nisur në janar 2020 për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa hijet e korrupsionit dhe të abuzimit për këtë kontratë janë të mëdha dhe kanë nisur që në nisje të saj. Pak javë më parë KLSH njoftoi se nga një auditim i bërë në Spitalin e Traumës ka rezultuar se kjo kontratë nuk monitorohej mbi efektivitetin e saj, nuk është ngritur një grup për të monitoruar veprimtarinë e saj si dhe nuk ka raporte se si bëhet faturimi. Të gjitha këto problematika vënë në rrezik buxhetin e shtetit, i cili ka paguar vit pas viti pagesat për këtë koncesion.

bottom of page