top of page

Në treg ka shumë valutë/ Euro vazhdon të “rrokulliset”, zbret poshtë 102 lekëve

Euro po vazhdon “rrokullisjen” në kursin e këmbimit me Lekun edhe pas festave të nëntorit.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 101.92 lekë, në rënie me 0.51 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Ky është niveli më i ulët i kursit Euro-Lek që prej datës 1 gusht. Vetëm në 30 ditët e fundit, kursi Euro-Lek ka rënë me 3.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia ka arritur në 12.8%.

Rënia e Euros vazhdon të ndikojë edhe kursin e këmbimit të valutave të tjera kryesore kundrejt Lekun.

Dollari Amerikan u këmbye të enjten me 93.32 lekë, niveli më i ulët që prej datës 2 gusht. Në një muaj, monedha amerikane është zhvlerësuar me 6.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e kursit të dollarit ka arritur në 17.2%.

Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane shënuan një rritje të lehtë ditën e sotme, por ngelen sidoqoftë pranë niveleve më të ulëta të katër muajve të fundit.

Sipas agjentëve të kursit të këmbimit, gjatë muajit nëntor rënia e kursit Euro-Lek është ndikuar nga një rritje e ofertës së Euros në tregun valutor. Vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme e shtimit të ofertës së Euros është e lidhur me eksportet e energjisë elektrike.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare gjatë muajit nëntor ka kryer pesë procedura të shitjes së energjisë elektrike, gjatë të cilave është shitur energji elektrike për një vlerë prej afërsisht 10 milionë eurosh. Por, sipas burimeve nga tregu, edhe prodhues të tjerë privatë të energjisë kanë realizuar shitje të konsiderueshme të valutës, çka tregon një efekt të ndjeshëm të prurjeve valutore nga eksportet energjetike.

Rritja e ofertës së Euros erdhi në një periudhë kur kursi tashmë karakterizohej nga një ofertë konstante e valutës, e lidhur sidomos me turizmin dhe nga një kërkesë e pakët për monedhën europiane. Agjentët besojnë se shumë prej importuesve të mëdhenj të ekonomisë realizuan blerje të valutës gjatë sezonit veror, për të shfrytëzuar nivelet e ulëta të kursit Euro-Lek. Kjo ka bërë që kërkesa për valutë gjatë muajve në vazhdim të jetë më e ulët.

Në krahun tjetër, tregu duket se vazhdon të vuajë një shtrëngim të ofertës së Lekut. Në muajin tetor, depozitat në Lekë shënuan rritjen më të lartë mujore të vitit 2023, por, në tërësi, agregati monetar M2 shënoi një rritje shumë të vogël. Rritja vjetore e agregatit M2, që përfaqëson ofertën monetare në Lekë, u ngadalësua më tej në 1.9%, duke qëndruar pranë niveleve më të ulëta të pesë viteve të fundit.

Një ndikim të konsiderueshëm në frenimin e ofertës së Lekut ka luajtur edhe suficiti buxhetor rekord i qeverisë shqiptare. Në fund të 10-mujorit, suficiti kishte vlerën e më shumë se 48 miliardë lekëve. Tashmë, një efekt sado i vogël nga rritja e shpenzimeve buxhetore në kursin e këmbimit mund të ndihet vetëm gjatë muajit dhjetor, ndoshta në ditët e fundit të tij, siç ndodhi vitin e kaluar.

Kursi Euro-Lek po shënon një cikël të ri dhe të papritur rënieje, që po e çon pranë niveleve më të ulëta historike, që u regjistruan në korrik të këtij viti. Forcimi i Lekut në teori ndihmon në uljen e presioneve inflacioniste, por nga ana tjetër vendos në sprovë të mëtejshme ata sektorë të ekonomisë me të ardhura në valutë dhe shpenzime në Lekë, duke filluar nga eksportuesit e mallrave dhe të shërbimeve.

bottom of page