top of page

Nën akuzë për korrupsion, Lefter Alla kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Ish kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë.

Ish-kryebashkiaku i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim të detyrës” i ka bërë rekurs vendimit të Apeli që nuk zëvendësoi masën “arrest në burg” ndaj tij në një masë më të butë.

Më 16 shtator Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar zyrtarisht në gjykatë dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla dhe 12 personave të tjerë.Alla është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Ish-zyrtarët e bashkisë së Bulqizës dhe biznesmenë të ndryshëm dyshohet se kanë abuzuar me një tënder më vlerë rreth 3 milionë Euro.

Në bazë të hetimeve të SPAK, rezulton e provuar se është shkelur ligji i prokurime publike për tenderin me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ”, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”.Për këtë tender janë shpallur fitues operatorët ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k. Prokuroria bën me dije se zyrtarët e Bashkisë Bulqizë, konkretisht shtetasit Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Leonard Daçi dhe Erjon Isaku në bashkëpunim me njëri-tjetrin për arsye të njohjeve apo lidhjeve me te hetuarin Rasim Daci, i cili është përfituesi “de jure” i tenderit dhe te hetuarin Aqif Konesha, i cili është përfitues “de facto” në tenderimet e kryera nga ana e Bashkisë Bulqizë, i kanë privilegjuar ata.

Sipas SPAK, janë krijuar avantazhe për këto dy subjekte si gjatë procedurës së prokurimit duke e shpallur fitues pa përmbushur të gjitha kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit, por edhe gjatë fazës së zbatimit të punimeve sepse punimet janë kryer nga kompania e Aqif Koneshës, i cili nuk është shpallur fitues në procedurën e tenderit ku ka konkuruar, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore. 

Po ashtu, rezulton se dy komapanitë fituese të kenë nënkontraktuar Koneshën për të kryer punimet. Gjatë hetimeve të SPAK, u provua se nga kompania e shpallur fituese e tenderit ishin kryer pagesa monetare në favor të të hetuarit Erion Isaku, që kishte cilësinë e anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik në këtë procedurë.

SPAK thekson se Lefter Alla dhe Enkeleda Lleshi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që punimet të bëhen de facto nga shoqëria e të hetuarit Aqif Konesha që nuk përmbush kushtet dhe kriteret për kryerjen e këtyre punimeve. Kompania e Koneshës nuk ka pasur licensat e nevojshme për kryerjen e punimeve specifike për ujesjellësin që është një objekt me rëndësi jetike për qytetarët e Bashkisë Bulqizë.

bottom of page