top of page

Nën hetim për shpërdorim detyre, Arben Ahmetaj thirret në SPAK


Ish-ministri Arben Ahmetaj është thirrur sërish në SPAK, në kuadër të hetimeve që po bëhen ndaj këtij të fundit për shpërdorim detyre.


Hetimi ka nisur në kuadër të aferës së inceneratorëve. Kjo është hera e parë që ish-zv.kryeministri paraqitet në SPAK për këto hetime.


Kujtojmë se Gjykata e Lartë rrëzoi ish-zv. kryeministrin Arben Ahmetaj i cili kishte bërë rekurs kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha. Gjykata e Larta ka rrëzuar Ahmetajn dhe Hoxhën duke lënë në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO.


Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim të parash dhe përftimit të paligjshëm të interesave. Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj.


Në kuadër të hetimeve, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zbarkuar për kontroll në disa nga pasuritë në emër të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj, Albina Mançka dhe të bashkëjetuese Erjola Hoxha. Gjatë kontrollit tek vila në zonën e Hamallajt, u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.


Pas këtij kontrolli SPAK ka marrë vendimin për të sekuestruar 2 vila në kuadër të hetimit ndaj ish-zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj. U vendos sekuestro preventive për vilën në Palasë të ish-bashkëshortes së ish-ministrit, Albina Mançka si dhe vilën në Hamallaj në pronësi të bashkëjetueses Erjola Kodra, ku Ahmetaj thotë se jeton.


Më herët ish-gruaja e Arben Ahmetaj, ka deklaruar se vila nuk është pronë e saj. Gjatë marrjes në pyetje Maçka, ka pretenduar se vilën në Palasë ja ka lënë një shoqja e saj e cila jeton në Zvicër dhe pretendon se ka vetëm një banesë në ish-Bllok. Mësohet se janë sekuestruar fatura e dokumente në emrin e saj, që verifikojnë se banesa është në pronësi të saj. Veprimet e BKH-së janë kryer me mbështetje të policisë së Vlorës.

bottom of page