Vlera e naftës kontrabandë që mund të hyjë gjatë një viti në vendin tonë, kap shifrat e 300 milionë eurove. Kështu thuhet në reagimin e bërë nga Konfinustria sa i takon sasive të mëdha me naftë kontrabandë që anijet janë kapur teksa e dërgonin në Portin e Durrësit.
Konfinustria ka kërkuar që të merren masa të jashtëzakonshme për të ndaluar një shkelje të tillë, duke argumentuar se sasia prej rreth 45 mijë tonëve naftë kontrabandë e zbuluar brenda 5 muajve të fundit, kap vlerën e 55 milionë eurove, që d otë thotë se i bëjnë buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik që arrin deri në 40 milionë euro, të cilat duhet të derdhen në arkë si detyrime fiskale të kompanive.
Deklarata:
Konfindustria kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme kundër kontrabandës masive të karburanteve në vend.
Konfindustria vlerëson, se mbështetur vetëm në të dhënat e bëra mediatike të institucioneve shtetërore, në një periudhë 4-5 mujore janë sekuestruar mbi 35-45 mijë tonë karburant kontrabandë të kapur në anije tregëtare në Portin e Porto Romanos/Durrës. Vlera e shitjes me pakicë e sasisë së mësipërme shkon në 45-55 milion euro. Nga sasia e mësipërme, vlera e kontrabandës/fshehjes së detyrimeve fiskale, që duhet të derdheshin në buxhetin e shtetit, mund të shkojë në 30-40 milionë euro. Sa më sipër, vjen si pasojë e drejtëpërdrejtë e shkallës së lartë të taksimit të karburanteve në Shqipëri si dhe subjektivizmit dhe korrupsionit të agjensive përgjegjëse shtetërore.
Vlerësohet, se sasitë e karburanteve të kapura në përgjithësi vijnë si pasojë e sinjalizimeve të agjensive të specializuara ndërkombëtare për shkak të shkeljes së embargos nga vende si Libia, Rusia, Irani, etj. Fitimi real në këto raste për kompanitë është shumë i lartë për shkak, se cmimi i blerjes është pothuaj 1/3 e cmimit të bursës ndërkombëtare, ndërkohë që cmimet e krahësimore të shitjes në tregun e Shqipërisë janë nga më të lartat në nivel kontinenti.