top of page

Ndodh në Durrës/ 'Nuk keni paguar'- Pronarët mbajnë peng 4 pushues nga Kosova, arrestohen nga Polici

DURRËS- 'Nuk keni paguar'- ky ishte motivi që dy persona në Durrës, mbajtën peng për rreth 45 minuta 4 pushues nga Kosova. Policia informon se në pranga kanë përfunduar Nexhmi Xhili, 49 vjeç dhe Dritan Kucaj.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër qytetarëve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të tyre me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin.

Pas ndërhyrjes së Policisë, 4 pushuesit janë lënë të lirë.

NJOFTIMI I POLICISË:

I hoqën lirinë katër shtetasve kosovarë, falë veprimeve të shpejta nga Policia, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë, se në lagjen nr. 13, në Durrës, dy shtetas i kishin hequr lirinë atyre, në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç, të dy banues në Durrës.  Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

bottom of page