Diferenca e tatimit midis individëve dhe bizneseve të vogla krijoi disa skema të shfrytëzimit të hapësirave ligjore për shmangien e taksave të evidentuara edhe nga institucionet politikëbërëse
Më 2014, qeveria e re ndryshoi politikat fiskale, si për bizneset edhe për tatimin mbi të ardhurat e të punësuarve, për të cilët zbatohej taksa e sheshtë.
Biznesit të vogël, në fashën e xhiros vjetore nga 0 deri në 2 milionë iu vendos 0% tatim mbi fitimin, ndërsa kishte detyrimin vetëm të një pagese fikse vjetore në vlerën e 25,000 lekëve.
Biznesi i vogël në fashën e xhiros nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit paguante 7,5% tatim mbi fitimin.
Në të kundërt, kur bizneset e vogla ishin pothuajse të përjashtuara nga taksat, për pagat, që prej vitit 2014, taksimi (Tatimi mbi të Ardhurat Personale – TAP) u vendos progresiv nga 13 deri në 23%. Fillimisht pragu mbi të cilin paguhej tatimi prej 23% ishte 130 mijë lekë.
Nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, u vendos tatimi zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, paguanin tatim të thjeshtuar 5%. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizoheshin si i madh dhe paguanin 15% tatimfitimi.
Ekspertët vlerësojnë se prej vitit 2015, diferenca e madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe zerimit të taksave të biznese e vogla që pothuajse iu zeruan taksat, nxiti shumë profesionistë të lirë të dilnin nga skema e sigurimeve dhe të hapnin biznese si persona fizikë, pasi paguanin taksa minimale.
Kjo diferencë tatimesh krijoi disa skema të shfrytëzimit të hapësirave ligjore për shmangien e taksave të evidentuara edhe nga institucionet politikëbërëse, ku rezultuan të ndara në 3 grupe:
Në grupin e parë, përfshihej dalja e profesionistëve të lirë të punësuar në kompani, si të vetëpunësuar që faturonin shërbime profesionale me zero tatim.
Në grupin e dytë, profesionistë të lirë të regjistruar, si ortakë në bizneset sh.p.k., me detyrim tatimfitim 15% + 8% divident, për të shmangur tatimin e dividentit, i faturonin kompanisë shërbim profesional, duke rritur shpenzimet dhe duke reduktuar fitimet, me qëllim përfitimin e dividentit, si të ardhur të pataksueshme.
Një grup i tretë ishte ngritja e shumë kompanive të huaja, kryesisht italiane, që për të reduktuar tatimin dhe dividentin faturonin shpenzime profesionale, me qëllim uljen e tatimit të taksueshëm dhe tatim divedentit.
Sipas ekonomistëve, ishin pikërisht këto shtigje ligjore që nxitën fillimisht individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël.
“Në atë periudhë, nëse një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3,6 milionë lekë në vit) do të paguante vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit).
Nëse ai faturonte si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguante ishin sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj. Pra ishin pikërisht këto shtigje ligjore që nxitën fillimisht individët me paga të larta të gjejnë strehim si biznes i vogël”, pohojnë ekonomistët.
Audituesi ligjor, Artur Papajani, shton se këto ndryshime shtuan pamundësinë ekonomike të sipërmarrjes për të paguar tatimin.
“Vendosja e normave të larta tatimore për të vetëpunësuarit nga 5% para zerimit, në 15 dhe 23%, por edhe për të punësuarit me paga relativisht të larta, pra me një normë 23%, për një prag relativisht të ulët të të ardhurave (vendosur 2 milionë në vit, kundrejt 2.4 milionë më parë), ekonomikisht cenojnë principin e mundësive për ta paguar atë tatim”, pohoi ai.
Më pas, nga 1 janari 2021 nisi zbatimin vendimi për zerimin e tatimfitimit te biznesi i vogël me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë deri më 31 dhjetor 2029, pavarësisht paralajmërimeve të bizneseve të mëdha që këto ndryshime do të përkeqësonin informalitetin, pasi subjektet e vogla nuk do të merrnin më fatura nga të mëdhenjtë që të mos kalonin kufirin e xhiros apo bizneset e mëdha do të copëzonin aktivitetet për të kaluar si subjekte të vogla.
Para 2021, vetëm bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë ishin të përjashtuara nga tatimfitimi. Ndërsa kufiri mbi të cilin bizneset u kategorizuan, si i madh me normë tatimfitimi 15%, u rrit në mbi 14 milionë lekë, kur para ndryshimeve, tatimi 15% paguhej nga bizneset me xhiro nga 10 deri në 14 milionë lekë.
Krahas këtyre lehtësive u miratua edhe heqja e TVSH-së për profesionet e lira me xhiro deri në 10 milionë lekë, kur më parë të gjithë bizneset të kategorizuara si të tilla ishin të përfshira me TVSH. Nga 1 janari 2022 gjithashtu tatimi 23% filloi të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që ishte më parë.
Papajani tha se zerimi i tatimfitimit për biznesin me xhiro vjetore deri 14 milionë lekë, nga 1 janari 2021, shtoi pabarazinë e sistemit tatimor dhe hapësirat ligjore për shmangie tatimesh, që u shfrytëzuan edhe nga profesionistët e lirë të punësuar.
“Të vetëpunësuarit, si dhe i gjithë biznesi i vogël, u privilegjuan në krahasim me të punësuarit, nga viti 2021 e këtej, vetëm për sa i takon tatimit mbi fitimit. Ndërkohë që ky grup i madh vazhdoi të paguajë taksat vendore, por normalisht edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për sa i takon vendosjes së normës zero të tatimit mbi fitimin, sistemi tatimor shqiptar, për herë të parë, humbi diçka nga barazia. U cenua ky princip. Ky boshllëk tatimor krijoi hapësira të ligjshme, që një pjesë u shfrytëzuan në sjellje krejtësisht normale nga profesionistë të ndryshëm që ishin të lidhur me një marrëdhënie punësimi.
Ndërkohë vendosja e zerimit të tatimit mbi të ardhurat krijoi rreziqe të tjera, që nuk është momenti për t’i përmendur, por duhet të pranohet që një politikë e tillë fiskale solli çoroditje fiskale që po i nxjerr sot në dritë pasojat.
Do të kish qenë mirë të ishte bërë një analizë e thellë. Aspak për të anatemuar individin apo institucionin, por për të mos u përsëritur kurrë më, ndërkohë që mund të përmendej si dëshmi historie, nën termat ‘ka ndodhur dikur kështu’.
Ndërkohë ju kujtoj që më parë, norma tatimore ishte 5%, pa paraqitur probleme a deformime, si për tatimpaguesit dhe qeverinë”, pohon ai.
Ndryshimet ligjore për të luftuar evazionin, që e nxitën vetë
Një sërë ndryshimesh të miratuara vitet e fundit kanë pasur si qëllim zvogëlimin e shmangies së tatimit, e krijuar edhe nga masat fiskale në fuqi.
Për të zvogëluar abuzimet me shmangien fiskale në pagat e larta që u krijuan nga masat fiskale që ishin në fuqi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë u detyrua që me Paketën Fiskale të vitit 2019 të ndërhynte në ndryshimet e ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat” dhe ligjin “Për Procedurat Tatimore”.
Masa e parë e miratuar me ndryshimet ligjore uli ngarkesën fiskale për të punësuarit, duke e rritur fashën e të ardhurave, nga 130,000 lekë në muaj në 150,000 lekë në muaj, që tatohen me normën 13%.
Nëpërmjet kësaj mase u synua të ulet barra tatimore për rreth 15,400 punëmarrës. Ndërsa masa e dytë përfshiu disa ndërhyrje në ligjin e procedurës tatimore, të cilat u japin të drejtë tatimeve të rikategorizonin tatimpaguesin, në rast se dorëzonte një deklaratë të rreme të të ardhurave, nëpërmjet verifikimit të transaksioneve bankare.
Në vijim të masave për shmangien e evazionit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndryshoi ligjin e mëparshëm të tatimit mbi të ardhurat.
Në mars 2023 Kuvendi miratoi ligjin e ri, që vendosi tatimin progresiv në normat 15 dhe 23% për fitimin (të ardhura-shpenzime = me fitim të tatueshëm) e të vetëpunësuarve, individëve tregtarë dhe subjekteve fizike, e ndarë në dy fasha, sipas xhiros vjetore.
Për bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë fitimi 15% dhe për ato subjekte me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë, tatimi është 23%. Ligji përfshiu për herë të parë njohjen e shpenzimeve apriori.
Për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit me xhiro 10 milionë në vit, te profesionet e lira, njohja e shpenzimeve apriori ishte në masën 30%.
Ndërsa ligji parashikon aplikim të taksimit progresiv në normat 15 dhe 23% te profesionet e lira, biznesi i vogël do të vijojë të jetë i përjashtuar nga tatimi deri në vitin 2029.
Zbatimi i ligjit në dy faza, sipas audituesit ligjor, njëkohësisht dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve z. Artur Papajani, do të vazhdojë të nxisë pabarazinë mes taksapaguesve.
Njëkohësisht z. Papajani vlerëson se normat e larta tatimore deri në 23% jo vetëm thelluan pabarazinë ndaj tatimpaguesve, por i demotivuan ata për pagim taksash. Ndryshimet sipas tij do të krijojnë më tepër evazion, shmangie detyrimesh apo skema të tjera për rritje informaliteti.
Rreziku
Zbatimi i ligjit në dy faza, sipas audituesit ligjor, njëkohësisht dhe ish-drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve z. Artur Papajani, do të vazhdojë të nxisë pabarazinë mes taksapaguesve. Njëkohësisht z. Papajani vlerëson se normat e larta tatimore deri në 23% jo vetëm thelluan pabarazinë ndaj tatimpaguesve, por i demotivuan ata për pagim taksash. Ndryshimet sipas tij do të krijojnë më tepër evazion, shmangie detyrimesh apo skema të tjera për rritje informaliteti.
“Nuk shoh përpjekje për ngushtimin e evazionit, pasi principe si pabarazia thellohen, përkundër sistemit që ndërlikohet. Nomat e larta tatimore, përveç demotivimit, tendencës për t’u mbyllur e për t’u larguar, nxisin prirjet për shmangie, për mosfaturime a nënfaturime.
Njëkohësisht mbajtja e një tjetër targeti me normë zero tatimore, përveç avantazhimit të grupit përfitues, sjell disavantazhe në sistem, veç të tjerash forcimin e tendencës për të mos iu përmbajtur rregullave fiskale, që kanë për kryefjalë atë që quhet “çedukim tatimor”.
E kam përsëritur disa herë që për një vit ç’edukim, sistemit do t’i duhet të harxhojë dhjetë vite edukim.
Evazioni i parë jo vetëm në aspektin e një sjelljeje të vullnetshme të individëve për të qenë të prirë nga shkeljet ligjore, merr energji edhe nga sjellja e individëve që priren për t’u mbrojtur nga politika të nxituara tatimore”, nënvizon ai.
Edhe për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, z. Artan Luku, ligji i ri jo vetëm do të shtojë evazionin, por edhe tarifat për shërbimet e ofruara nga profesionet e lira.
“Ndryshimi do të sjellë rritje të çmimeve të shërbimeve, por nuk përjashtohet edhe evazioni në kushtet kur të interesuarit e perceptojnë, në disa aspekte me të drejtë, si diskriminues dhe të imponuar.
Duke pasur parasysh që tatimi i ri nuk aplikohet për të gjithë subjektet, si dhe koha e hyrjes në fuqi ka qenë disi e “nxituar”, thotë ai.
Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Doganave të Dhomës Amerikanë të Tregtisë, znj. Alketa Uruçi, do të shprehej në një seminar të zhvilluar në muajin prill ku morën pjesë rreth 120 profesionistë të bizneseve të ndryshme, anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, se “ligji i ri vazhdon të ketë problematika dhe lë shteg për informalitet, pasi parashikon kategorizimin e biznesit, në varësi të formës ligjore, si dhe përmban përjashtime tatimore për kategori të veçanta, që nuk incentivojnë formalizimin e ekonomisë”.
Por edhe sipas drejtuesve të bizneseve të profesioneve të lira, ndryshimet ligjore nuk pritet të luftojnë evazionin.
Në sondazhin e zhvilluar nga “Monitor”, 89% e të anketuarve nga 613 biznese pjesëmarrëse pohuan se vendosja e tatimfitimit për profesionet e lira do të rrisë evazionin dhe informalitetin dhe vetëm 3% deklaruan jo.
“Parimisht çdo pagesë që do të mundem, do ta marr cash. Ata që duan faturë do t’i faturoj një 20% plus. Parapagimi është shumë i gabuar pasi krijon barrë të panevojshme.
Pse të mos ta bëjnë si mbledhja e TVSH-së që çdo 3 muaj, të del detyrimi dhe e paguan”, u shpreh një programues nga Tirana në dhënien e përgjigjeve për anketën e zhvilluar nga “Monitor”.
Në vitin 2023, të 29 mijë profesionistët e lirë kanë deklaruar gjithsej të ardhura prej 85 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga financat, ose rreth 810 milionë euro. Fitimi neto i deklaruar nga 29 mijë profesionistët e lirë në vitin 2023 ishte 51 miliardë lekë, ose 490 milionë euro.
Të ardhurat neto që i mbeten një profesionisti pas zbritjes së shpenzimeve prej rreth 1400 eurosh në muaj (490 milionë euro/29 mijë profesionistë).
Në bazë të vetëdeklarimit të fitimeve neto për vitin 2024, rezulton se 29 mijë profesionistët e lirë do të paguajnë rreth 7.6 miliardë lekë (ose 75 milionë euro) tatimfitimi të thjeshtuar. Me zbatimin e kësaj norme të re, e ardhura neto e profesionistëve të lirë zbret në më pak se 1200 euro/muaj.
“Mendoj se shumë persona që kanë mundësi ta kthejnë pagesën në cash, do ta marrin cash dhe do të deklarojnë një fitim fare minimal.
Ne që paguhemi gjithsesi nga kompani të huaja nëpërmjet bankës nuk mund ta bëjmë këtë por do marrim kosto nga pagesa e taksës. Kjo është e vetmja kategori, nga e cila do mblidhet taksë.
Është edhe një kategori e tretë ku paguhen me bankë dhe thjesht do të marrin përsipër rrezikun, duke mos i deklaruar. Disa profesionistë që kanë qenë në mëdyshje mes emigrimit apo jo, ky ligj do t’i shtyjë ata të ikin përfundimisht.
Në total nuk besoj se do të mblidhet ndonjë shumë domethënëse nga kjo taksë, aq më pak, aq sa mendon qeveria”, thotë një programues nga Tirana.
“Ky ligj do të shkaktojë shumë evazion fiskal e rritje çmimesh që shumë biznese nuk do t’i përballojnë siç jam unë, një biznes i ri që nuk kam as 6 muaj që e kam hapur NIPT-in dhe tani po mendoj që ta mbyll dhe të gjej forma të tjera për të punuar dhe të mos të paguaj asgjë.
Shumë biznese do të fillojnë të operojnë me para në dorë e kështu do të rritet evazioni fiskal”, thotë një kontabilist i ri nga Durrësi.