top of page

Ndryshon taksa mbi pagën/ Rritet pragu i taksës 23%, lehtësim barre për të rinjtë

Ministria e Financave pritet të hedhë për konsultim publik ndryshimet mbi ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ku do të preket tatimi mbi pagat. Konkretisht parashikohet të rritet kufiri i sipërm i pagave mbi të cilat aplikohet tatimi 23%, duke bërë që të gjithë punonjësit me paga të larta në sektorin publik apo privat të përfitojnë reduktim të tatimit, i cili përkthehet në një shtesë e të ardhurave mujore neto që ata marrin.

Aktualisht sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat i cili hyri në fuqi në Janar të 2024-ës, të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive nga 13-23 për qind në bazë vjetore. Pra, të ardhurat, nga 0 – 2 040 000 lekë tatohen në bazë vjetore me një normë prej 13% dhe të ardhurat vjetore mbi 2 040 000 lekë tatohen me 23%.

Me ndryshimet ligjore që pritet të miratohen aktualisht do të ndiqet e njëjta logjikë. Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se norma tatimore do të llogaritet mbi të ardhurat vjetore, ku individët i prek norma tatimore prej 23 % nëse kalojnë të ardhurat vjetore mbi 2 600 000 lekë.

Po ashtu, një tjetër diskutim i cili është në tryezë lidhet me lehtësimin e të punësuarve të tjerë, të cilët i kap detyrimi për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), ku sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore këtë detyrim për vitin 2023 e kanë në total 73.790 individë. Në këtë kategori, për të rinjtë deri në 29 vjeç, po diskutohet të zbritet tatimi në masën 100 mijë lekë.

Aktualisht, zbatohen zbritje të shpenzimeve nga të ardhurat e krijuara nga punësimi, dhe një prej tyre është kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim individit më pak se 18 vjeç, prej 48 mijë lekësh. Ministria e Financave po diskuton që kjo masë kompensimi të rritet deri në 60 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim

Kjo paketë masash lehtësuese për të punësuarit ndërmerren si rrjedhojë e performancës shumë të mirë e të të ardhurave tatimore.

bottom of page