Për dy ditë qeveria u mblodh në Shëngjin për të analizuar vitin që u mbyll dhe pritshmëritë për atë që sapo ka nisur. Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka një ndryshim të vijës hekurudhore Durrës-Prishtinë që do të kalojë nga Shkodra dhe Gjakova.
“Kemi diskutuar po ashtu sepse ka një komunikim intensiv me qeverinë e Kosovës për ecurinë e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe ka një dakordësi në parim nga dy qeveritë për të eksploruar një ndryshim të vijës, duke kaluar nga Shkodra në Gjakovë dhe Prishtinë. Kjo është zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës” tha ai.
Kontrata me kompaninë fituese që do të zhvillojë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Tiranë tashmë është lidhur dhe vlera e saj finale është rreth 202 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Kostoja e përafërt e hekurudhës Durrës-Prishtinë është llogaritur në 700 milionë euro. Kjo linjë cilësohet e një rëndësie të veçantë.