Qeveria i alokon çdo vit spitalit Nënë Tereza një fond 2-2.5 miliardë lekë (rreth 25 mln euro) po në fakt nevojat e qendrës spitalore më të madhe në vend janë se paku 4 herë më larta.
Çdo vit kur hartohet buxheti afatmesëm entet publike raportojnë për nevojat qe kanë për financime gjatë një viti. Këto kërkesa në fund i përcillen Ministrisë së Financave që më pas miraton fondin përkatës, i cili për shumë funksione nuk mund të jetë sipas nevojave.
Kjo është e kuptueshme në rastin e investimeve publike, apo shërbimeve të tjera, por në rastin e barnave mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për tu kuruar jashtë sistemit publik.
KLSH vërejti se buxheti për spitalin “Nënë Tereza” mbetet i pandryshuar për vite me radhë si për barnat ashtu edhe në totalin e tij, nga ana tjetër barra e sëmundjeve që kërkojnë trajtime të kushtueshme të tilla si neoplazmat dhe sëmundjet kardiovaskulare po rriten me shpejtësi nga viti në vit.
Gjatë dekadës së fundit në QSUT ka një rritje progresive të shtrimeve (nga 68,273 pacientë në 2013, në 116 mijë pacientë në vitin 2022). Ka rritje të aktivitetit në shërbimet e urgjencës, rritjen e numrit të konsultave dhe ekzaminimeve ambulatorë, rritje të procedurave invazive dhe mini invazive, rritjen e trajtimeve në onkologji, hematologji, onko-hematologji, pediatri, etj.
Ndërkohë që financimi i barnave në QSUT ka një hendek të thellë, nën anën tjetër buxheti i Qendrës Spitalore po gërryhet nga pagesat e larta për shërbime dytësore që ofrojnë privatet dhe koncesionaret. Koncesionet e laboratorit dhe sterizilimit po kanalizojnë buxhetin e “varfër” të QSUT drejt financimit të shërbimeve dytësore me kosto shumë të lartë.