Pritet vjeshtë e nxehtë për të korruptuarit në radhët e politikës, drejtësisë dhe policisë...
Vjeshta pritet të sjellë surpriza për kastën e të korruptuarve në vend. SPAK duket se lejoi një pjesë të madhe politikanësh që t’i shijojnë edhe këto pushime, pasi me gjasë verën që vjen mund ta gjejnë veten pas hekurave.
Janë të shumtë ata që rrinë me frikën e arrestimit, ndërsa i vetmi që e shfaq është Ilir Meta. Sinjalet janë se laku për të po ngushtohet dhe se SPAK në vjeshtë do vihet në veprim. Dje Meta e tregoi se i janë bllokuar llogaritë bankare edhe të PL, ç’ka tregon se hetimet kanë avancuar. Ai është në skaner për disa dosje, më të rëndësishmet janë CEZ-DIA, lobimet në SHBA dhe fshehja e pasurisë. Nëse SPAK e lejon Metën të hyjë në zgjedhjet e 2025, atëherë reforma ka rënë.
Zhvillim tjetër këtë vjeshtë është dërgimi për gjykim i Sali Berishës. SPAK zgjati hetimet për aferën me Kompleksin “Partizani” dhe me gjasë në vjeshtë dosja është gati për të shkuar në gjykatë. Po ashtu, pritet që të mbyllet dhe gjyqi për Fatmir Mediun, i cili akuzohet për aferën e Gërdecit.Zhvillim tjetër është “21 Janari”. Në vjeshtë pritet që Sali Berisha dhe Lulzim Basha të ngjitin shkallët e SPAK për të dhënë sqarime mbi 4 vrasjet në bulevard.
SPAK pritet të trazojë edhe mazhorancën këtë vjeshtë. Sipas zërave, Frida Krifca dhe Olta Xhaçka mund të merren të pandehura, pse jo dhe me masë sigurie. Xhaçka akuzohet për afera me pronat e ushtrisë, ndërsa Krifca për vjedhjen e fondeve të BE. Në listë janë dhe disa ish-kryebashkiakë, që po ashtu janë në pjatën e SPAK.
Një aksion i madh pritet sa i takon përgjimeve të “SKY ECC”. Janë me qindra gjyqtarë, prokurorë, ish-gjyqtarë e ish-prokurorë, zyrtarë policie dhe avokatë që pritet të shkojnë në qeli. Ky aksion pritet të shkundë nga themelet drejtësinë në vend.
Por zhvillime priten përtej Atlantikut dhe përtej La Manshit. SHBA ka paralajmëruar se do të zgjerojë listën e sanksioneve në Ballkan, përfshirë dhe vendin tonë. Berisha ishte i fundit politikan i lartë i shpallur i padëshiruar, por duket se do të ketë shumë të tjerë, madje edhe në radhët e PS.
Zhvillime priten dhe nga Londra. Shumë emra madje janë shpallur të padëshiruar që tani, por e mbajnë të fshehtë dhe nuk tregojnë. Disa ish-ministra të Berishës dhe deputetë pranë tij nuk kalojnë dot La Manshin. Por do të ketë dhe shumë të tjerë. Pra, vjeshta do të jetë më e nxehtë se zakonisht.